5 nëntor 2015 – Një debat mes deputetëve të opozitës dhe ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja për rastin e fëmijës Kristi Maze, i cili vuan një problem në mëlçi, është acaruar duke çuar deri në përdorimin e ofendimeve personale nga ana e ministrit.

Në një moment, teksa deputetja e PD-së Albina Deda po fliste nga karrigia e saj, ministri Beqaj ndërhyn dhe jashtë mikrofonit përdor etiketimin “kafshë” për të.

Kjo shkaktoi gjullurdi në sallën e Kuvendit, dhe deputetja e ofenduar së bashku me deputetët e tjerë të opozitës kërkuan ndërprerjen e seancës dhe mbledhjen e Byrosë për të marrë masa ndaj ministrit ose ai duhej t'i kërkonte falje publike.

“Nuk ka seancë pa ardhur ministri me më kërkuar falje. Byroja e kuvendit të mblidhet të marrë masë. Fjala kafshë në sallën e parlamentit nuk është e duhur”, tha Deda.

Pas rreth gjysmë ore ndërprerjeje, seanca plenare rinisi sërish në Kuvend dhe ministri Ilir Beqja i kërkoi ndjesë publike deputetes Deda, për fyerjen që i bëri gjatë debateve të paradites.

“Dua t’i kërkoj ndjesë zonjës Deda për fjalët e pahijshme. Sigurisht që janë fjalë që s’duhen përdorur nga askush, aq më shumë nga ne që kemi marrë përsipër të kryejmë funksione të larta publike. Por me sa duket dhe unë njeri i gjallë,e në vazhdën e fyerjeve të përsëritura e tejkalova. Shpresoj që ndjesa ime të mund të vlejë në ditët në vijim, që të përdorim reciprorikisht sa më pak fyerje e ofendime. Zonja Deda, edhe një herë ndjesë!”, është shprehur ministri.

/portali DurresLajm/