Vëllai i të ndjerit Leonard Skabona, 60-vjeçarit që u hodh nga Spitali “Shefqet Ndroqi” duke gjetur për pasojë vdekjen, ka folur lidhur me ngjarjen.
Anton Skabona deklaroi për News24 se “vëllai shkoi shëndoshë e mirë në spital dhe s’e di se çfarë i bënë”. Ai zbuloi se i kishte sugjeruar të vëllait të mos shkonte në spital, ndërsa tregon bisedën me të motrën.
“Nuk është gjendje të rëndë më tha motra. Motrës i kanë thënë këtu nuk të shërbejnë, nuk të heqin tubat e urinës. Dua te di për çfarë arsye është hedhur nga ballkoni? I sugjerova prit rezultatin e testit pastaj shohim… Ai e ka marrë spitalin në telefon. Ka shkuar ambulanca në Laç dhe e ka marrë. E ka bërë testin e koronavirusit dhe nuk i kanë dhënë përgjigje”, tha ai ndërsa bën thirrje për zbardhje të së vërtetës.
Duke folur për vëllanë e ndjerë, Leonardin, ai tregon se në të shkuarën kishte shfaqur probleme të shëndetit mendor, por më pas ishte bërë mirë.
“Po ka qenë i shtruar në spital në Shkodër. Ka pasur probleme sepse ka qenë në burg politik. Pas spitalit ka qenë shumë mirë normal. Vëllai jetonte vetëm te shtëpia e prindërve. Ishte i divorcuar, ish-gruaja dhe dy djemtë jetojnë në Belgjikë. Para dy-tre muajsh ka lënë spitalin e Shkodrës. Është kuruar për një muaj”, tha ai.