DURRËS, 22 qershor 2013 – Ndonëse stinë vere dhe prag zgjedhjesh, porti i Durrësit është “i thatë” për emigrantë (për dy ditë, 20 e 21 qershor, kanë zbritur nga tragetet gjithsej 1195, por kanë hipur për të ikur 570 veta, me diferencë prej 625 shqiptarësh), ndryshe nga pikat kufitare me Greqinë ku ka dyndje të llahtarshme.
Sipas zëdhënëses së drejtorisë së policisë së qarkut, Ornela Çako, më 20 qershor 2013 (të enjten), nga shërbimet e Policisë Kufitare në portin e Durrësit janë kontrolluar dokumentet për 542 shtetas shqiptarë dhe 246 të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar; si dhe për 276 shqiptarë dhe 116 të huaj që janë larguar në drejtim të Italisë.
Kurse më 21 qershor (të premten) kanë zbritur nga tragetet 542 shqiptarë dhe 246 të huaj dhe kanë hipur 276 shqiptarë dhe 116 të huaj.
Duke bërë mbledhje-zbritjet, i bie që, për dy ditë, numri gjithsej i shqiptarëve plus të jetë vetëm 570 “kandidatë” për votues, por nuk dihet sa janë të mitur apo pa të drejtë vote.
Duket, që subjektet politike shqiptare, që kanë sponsorizuar mbërritjen e emigrantëve shqiptarë për votimet e 23 qershorit, kanë parapëlqyer avionët (nga Italia) dhe autobusët (nga Greqia).
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





