Bie në prangat e policisë 62-vjeçari Medi Koleci nga Armatha e Durrësit, i shpallur në kërkim kombëtar për veprën penale "Vrasje për shkak të mardhënieve familjare, mbetur në tentativë", kryer në bashkëpunim.
Policia informon se "Nga Shërbimet e Policisë së Postës Manëz, Durrës, në bashkëpunim me Shërbimet e Policisë së Komisariatit Nr.3 Tiranë, në rrugën "Jordan Misja", Tiranë, është kapur dhe ndaluar shtetasi Medi Koleci, 62 vjeç, banues në fshatin Armath, Durrës".
Ky shtetas në vitin 2018, në fshatin Armath, Durrës, në bashkëpunim me dy djemtë e tij ka goditur me mjete të forta (sopatë), kunatën e tij, shtetasen Qefsere Kolcei, duke i shkaktuar dëmtime serioze për jetën.
Në ngarkim të këtij shtetasi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, më datë 20.10.2018 ka vendosur masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprën penale "Vrasje për shkak të mardhënieve familjare, e mbetur në tentativë" kryer në bashkëpunim.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
ZANAFILLA E KONFLIKTIT
Dy familjet Koleci kanë banesat ngjitur në Manëz të Durrësit dhe kanë pasur një konflikt pronësie për një rrugë. Për rreth 20 vite, familja e Medi Kolecit kishte mbjellë ullishte në një rrugë që lidhej me banesën e 51-vjeçares së plagosur. Për shkak se kishte bllokuar pronën, një ditë para plagosjes, forcat e INUK Durrës shkuan për të prishur ullishten e 61-vjeçarit Medi Koleci dhe për të hapur rrugën. Ai kundërshtoi forcat e INUK dhe të policisë, dhe u shoqërua në komisariat ku qëndroi gjithë natën.
Pasi doli nga qelia, Medi Koleci shkoi në banesën e tij dhe rreth orës 08:30 u konfliktua me kunatën, Qefsere Koleci. Me ndihmën edhe të djemve, ai dhunoi 55-vjeçaren duke i shkaktuar plagë të rënda në kokë dhe në trup. Konflikti buron pikërisht nga prona e mbjellë me ullishte nga ana e 61-vjeçarit, e cila bllokonte rrugën e banesës së kunatës së tij. Gjykata e kishte cilësuar të paligjshme mbjelljen e tokës me ullishte nga Medi Koleci, duke i dhënë të drejtë Qefsere Kolecit.





