3shtator 2015 – Denoncohet shqiptari, postoi në Facebook fotografi me armë në kokë një të riu. Një 20-vjeçar shqiptar që jeton në Montecatini, provincë e Pistoias, u vu nën hetim nga policia italiane për foton me armë.
Në profilin e tij në Facebook ai kishte hedhur këtë fotografi, ku në një vend publik, autori mban një pistoletë gjysmautomatike që ia ka vënë në kokë një personi të gjunjëzuar dhe me duart e lidhura pas. Në fund të fotos ishte shkruar një mesazh kërcënues, çka ka bërë që ndjekësit e tij dhe policia të vihen në alarm.
Nga verifikimi i mëtejshëm i profilit të të riut është konstatuar një tjetër foto, ku ai dallohej duke mbushur një armë gjuetie. Pasi është marrë në pyetje ka rezultuar se në fakt, pistoleta ishte lodër. “Arma” u gjet në banesën e shqiptarit, duke miratuar dhe thëniet e tij.
Sipas policisë, u krye hetim për armën e gjahut, e cila ishte marrë fshehtas nga shtëpia e babait të një shoku të tij italian. Gjatë kësaj kohe, i riu po hetohet në gjendje të lirë.
/portali DurrësLajm/