Rusi, 26 shkurt 2014 – Një 22 vjeçar, i ndihmuar nga një shok i tij, i ka vënë flakën vetes dhe është hedhur nga taraca e pallatit shumëkatësh. Gjithçka mund të duket çmenduri, por djali ka mundur të shpëtojë nga kjo hedhje pa asnjë lëndim. Ngjarja është regjistruar në Rusi dhe ka për protagonist 22 vjeçarin Alexander Chernikov.

Në video duket qartë, i riu i pozicionuar në taracën e pallatit ndërsa bëhet gati të hidhet nga aty. Një shok i tij i vë zjarrin në të dyja këmbët, ndërkohë një tjetër filmon ngjarjen. Ashtu në flakë, ai pret edhe pak çaste që zjarri të përhapet në këmbët e tij dhe më pas hidhet. Dy kamera kontrollojnë këto veprime dhe i regjistrojnë të gjitha këto momente të frikshme.

Pasi kalojnë pak çaste, ai del nga dëbora ku u zhyt për shkak të rënies dhe ecën pa probleme… Pas hedhjes i riu ka shpjeguar se e zgjodhi me kujdes vendin nga do hidhej për të rënë pikërisht mbi pirgun me dëborë, që evitoi lëndimet në trup dhe kokë. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/