Vëllai i Enver Stafukës, Naimi ka folur për herë të parë për rrëmbimin e të afërmit të tij vite më parë.
Në një prononcim për emisionin “Në shënjestër”, Stafuka tregoi se lajmin që vëllai ishte “prangosur” nga Policia e kishte marrë vesh nga kamarieri i lokalit.
Fill sapo mori vesh lajmin, Naimi tregoi se kishte pyetur në Komisariat dhe më pas në të gjithë Shqipërinë për të mësuar se ndaj tij nuk ishte lëshuar asnjë urdhër-arresti.
“U ula poshtë për të parë një ndeshje. Më thërret kamarieri e më tha se Policia kishte marrë Verin. Pse smë njoftove i thashë unë. Ashtu e kishte menduar. Kishin ikur nga rruga e Durrësit.
E kishin marrë me Golf gri, po poshtë më tha se ishin me rroba civile. Sapo ka dalë nga lokali e kanë ndaluar aty.
Pyeta në Polici, e më tha që nuk kishin urdhër-arresti. Pyetëm të gjithë Komisariatet. Kemi hapur kamerat në orën që morëm informacionin pamë videon e rrëmbimit. Aty dyshova se nuk ishte Policia. Ishin persona të maskuar. Edhe aty e vendosa që nuk e ka marrë Policia por civilë.
Ishte në kafe me Durim Bamit, Gent Bejten, Ramazan Rrajën. Pastaj kanë ndenjur 20-30 minuta, po di se në orën 8 pa ca është rrëmbyer,”-tha i vëllai i të zhdukurit.
PJESË NGA INTERVISTA:
Mund të më thoni me kë ishte i shoqëruar momentet e fundit para se të rrëmbehej?
Naim Stafuka: Enveri ka qenë në kafen poshtë shtëpisë time. Ka ardhur aty me Durim Bamin, Gentjan Bejtjan, Ramazan Rrajën. Janë futur në kafe, aty kanë nejt njëfarë kohe, 20 minuta a 30 minuta, nuk e kam idenë fiks, por di se në orën 8 afërsisht është rrëmbyer. Dikush e ka marrë në telefon, i ka thënë do vish për të më takuar, ka qenë në Kameras të Krujës, një njeri që quhet Ervis Alla, kjo sipas dëshmitarëve që kanë qenë në tavolinë. Aty ka dalë me shku te ky Ervisi, aty e kanë pritur rrëmbyesit.
Ervisi pse e telefonoi? Përse do ta takonte?
Naim Stafuka: ‘Kisha për t’i dhënë 200 mijë lekë të vjetra’ u kishte thënë, me këtë arsye ishte çuar Enveri. Këtë nuk e di, nëse e ka marrë ai në telefon, apo Enveri atë, për këtë nuk jam i sigurt.
Pasi bëtë denoncimin, a i takuat personat e fundit që ishin në kafe me të? A i pyetet se çfarë kishte ndodhur dhe çfarë ju thanë ato?
Naim Stafuka: I kam taku fill nga ora 10. Kam marrë në telefon Durimin dhe i kam thënë policia pse e ka marrë Enverin. Nuk di gjë më tha. I thashë ku ta gjejmë se nuk është në asnjë vend. Se di më tha, e shohim nesër. Pak më vonë takoj vëllain e vet Valterin, po vinte me një fuoristradë, unë isha me çunin tim të vogël, isha në këmbë, po prisja. E pyeta përse e kishte marrë policia Enverin, më tha që nuk dinte gjë. Gjatë natës kam marr pronarin e dyqanit që është në kat të parë, D.Kanin që ka kamera, ka qenë ora 2 e natës. Ka ardhur ai nga Kruja, unë bashkë me shefin e rajonit dhe një oficer policie kemi hapur kamerat pastaj kemi parë videon e rrëmbimit që aty dyshova se nuk ishte policia. Ato ishin disa persona që ishin vesh me uniformë policie. Aty e vendosa që Enverin nuk e kishte marrë policia. E kishin marrë persona civilë. Në mëngjes erdhi dhe Durimi tek kamerat.
Ju tek kush dyshoni?
Naim Stafuka: Ne dyshojmë tek të gjithë grupi që ka qenë me të kanë dijeni.
A i keni pyetur?
Naim Stafuka: I kemi pyetur
Çfarë iu thonë?
Naim Stafuka: Nuk dimë gjë na thonë, nuk e kanë marrë mundimin për ta gjetur.
Kur është hera fundit që keni pyetur policinë për këtë çështje?
Naim Stafuka: Hera e fundit është para dy javëve, herën e fundit që më ka thirr policia ka qenë tetor 2021.
Për çfarë ishte e interesuar policia?
Naim Stafuka: Donin informacione, ku dyshoja, na thuaj emrat konkrete. Unë nuk e kam parë vetë duke e marrë, s’kam se si cilësoj njerëzit pa fakte. Tani përderisa ka qenë me shokët e vet, dyshimet aty bien, janë në dijeni, po se kush kanë qenë personat që e kanë rrëmbyer se di.
Naim çfarë mendoni, jeton Enveri?
Naim Stafuka: Nuk kemi shpresa, është një ëndërr që mund ta mendosh.
Enver Stafuka u rrëmbye dhe u zhduk pa gjurmë më 9 shkurt të vitit 2015. Të persona të maskuar të veshur si policë e rrëmbyen në qendër të qytetit të Fushë-Krujës personin që vodhi makinën ‘BMW’ nga ku u qëllua për vdekje komisari Dritan Lamaj.





