Një ngjarje e rëndë është shënuar mëngjesin e sotëm në Shkodër, ku është ekzekutuar pranë banesës Nazmi Bandulla.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Rus” dhe Bandulla është vrarë me armë zjarri pranë banesës së tij.

Viktima ka qenë duke pirë kafenë e mëngjesit në lokalin pranë banesës së tij, kur është qëlluar me breshëri plumbash nga një makinë, duke e lënë të vdekur në vend.

Nazmi Bandullës në 2020-n i vendosën tritol në mjetin e tij tip “X5” e parkuar në oborrin e banesës. Atë kohë 55-vjeçari u shpreh se nuk e kishte idenë se kush mund t’i kishte vënë tritolin.

Nazmi Bandula është një person me precedent penal, sepse është arrestuar në vitin 2012 pas një konflikti pronësie me vëllanë e tij, të cilit i ka drejtuar armën.

Shkodër/Informacion paraprak

Rreth orës 08:15, në lagjen “Partizani”, Shkodër, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi N. B., 55 vjeç, banues në lagjen “Partizani”.

Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijon krehja e saj, me qëllim kapjen e autorit.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.