DURRËS, 1 dhjetor 2014 –  Mes një turme mashkullore ushtarakësh, politikanësh dhe diplomatësh të puthësh dorën të vetmes femër, bijtë e “Marianës” e tregojnë se janë gjithmonë zotërinj dhe kalorës të vërtetë.

Më 29 nëntor 2014, në ceremoninë zyrtare për festimin e 70-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë në garnizonin ushtarak “Skënderbej” pati dhe një moment mondan, gjë e rrallë në Shqipëri, por edhe në praktikën ndërkombëtare diplomatike, teksa ambasadori i “Marianne” – epitet për Francën – 61-vjeçari parisien z. Bernard Fitusi (Bernard Fitoussi) i puth dorën Ministres së Mbrojtjes, 50-vjeçares znj. Mimi Kodheli. Ky qëndrim ndaj seksit delikat, sjellje tipike aristokratike-kalorësiake, përkon edhe me faktin që krye-diplomati francez është Kalorës i Legjionit të Nderit. 

Znj. Kodheli, që mbushi gjysmëshekulli më 11 shtator 2014, këtë foto e ka postuar në llogarinë e vet në rrjetin social Face Book, bashkë me foto të tjera me dorështrëngime me ambasadorin në ikje të SHBA, z. Aleksandër Arvizu; peshkopin ortodoks Anastas, atashe ushtarakë etj.

Përveç fotove me krerët e shtetit në ceremoni, kreu i mbrojtjes, veshur bardhezi, kishte postuar dhe foto të kuadratit të Forcës Detare me uniforma të bardha, kontrast i dukshëm në festën e zhvilluar në garnizon.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/