TIRANE, 25 maj 2013– Kreu i degës së Partisë Socialiste në Prezë sëbashku me familjen e tij vazhdon të jetë në qendër të sulmeve.

Makina e të atit të Lavdim Kajmakut është shkrumbuar nga flakët nga një zjarrëvënie e qëllimshme, ndërsa gjatë natës ka patur edhe të shtëna me armë ndaj banesës së tij, por fatmirësisht nuk ka të dëmtuar.

Vetëm dy ditë më parë kreut të PS-së në Prezë, Lavdi Kajmakut i është djegur banesa dhe biznesi, për shkaqe ende të panjohura. Ngjarja ndodhi rreth orës 04:00. Fatmirësisht familjarët i kanë pikasur shenjat e zjarrit në kohë dhe kanë mundur të shpëtojnë. Zjarrfikësit kanë shkuar në vendngjarje ku kanë mundur të neutralizojnë edhe flakët, ndërkohë që sipas tyrë zjarri ka qenë i qëllimshëm, pasi ka pasur 8 vatra zjarri, ndërsa në afërsi të banesës së Kajmakut është gjetur një bidon benzine dhe mbetje të lëndës djegëse, e cila është përdorur për të kryer zjarrvënien.

Dëmi sipas përllogaritjeve të pronarit të biznesit shkon në rreth 200 mijë euro, në të cilat llogaritet një serë me sipërfaqe të konsiderueshme që ndodhej përpara shtëpisë së Kajmakut, si dhe banesa e tij. Lavdërim Kajmaku ka treguar se fillimisht u përpoq të shpëtonte nipin 12-vjeçar, të cilin arriti ta nxirrte nga flakët për mrekulli. Kjo pasi ai ndodhej në banesë në momentin e rënies së zjarrit. Më pas ai tregon se është munduar dhe përpjekur që të minimizonte flakët e zjarrit që përhapeshin me shpejtësi dhe që rrezikonin banesën e tij, e cila më pas u dogj.

Kajmaku e lidh ngjarjen me motive politike, pasi sipas tij krimi ka ndodhur për shkak të përfshirjes së tij në politikë duke mbështetur Partinë Socialiste, ndërsa ai është edhe kryetar i degës përkatëse në komunën e Prezës. Por Kajmaku ka mohuar të ketë pasur konflikte apo mosmarrëveshje me persona të ndryshëm në fshat, duke hedhur poshtë versionin e një konflikti personal në zonë. Hetimet e policisë pritet të sqarojnë rrethana të tjera në lidhje me ngjarjen, ndërsa aktualisht ende nuk ka një version për krimin.