Vajza 15 vjeçe shkon në një internet-kafe dhe lundron pak në rrjete sociale si të gjithë të rinjtë e sotëm. Por harron të bëjë diçka të rëndësishme para se të largohet nga bari, të mbyllë adresën e Facebook-ut në kompjuterin ku ishte ulur. Këtu fillon dhe gjithë kalvari i problemeve që i shkaktoi kjo pakujdesi. Dy të rinj që shkuan pas vajzës në vendin ku kishte qëndruar ajo, hapin Facebook-un e saj, i marrin fotot personale dhe fillojnë ta shantazhojnë për 2 javë rresht.

Policia e Durrësit bën me dije se ka arrestuar dy të miturit që qëndrojnë prapa kësaj historie. Ata janë D. K. 14 vjeç, dhe R.M. 15 vjeç, të dy banues në Durrës, ndaj të cilëve rëndon akuza e “Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Dy të rinjtë, kanë kanosur me anë të rrjetit social Facebook shtetasen K.H. 15 vjeçe, duke i kërkuar një shumë prej 20.000 lekësh në këmbim të fotove.

Ngjarja ka ndodhur rreth 2 javë më parë, kur 15-vjeçarja doli nga një internet-kafe e qytetit dhe kishte harruar pa mbyllur adresën e saj të Facebook-ut. Dy të miturve që “u erdhi fati në derë”, menduan që të përfitonin disa para kur panë një llogari të hapur në kompjuterin ku u ulën.

Ata i vjedhin të gjitha fotot personale dhe gjithçka tjetër private që vajza kishte në llogarinë e saj dhe më pas kontaktojnë me të dëmtuarën duke e kërcënuar dhe shantazhuar: “Na jep 20.000 lekë, ose çdo gjë e jotja do të qarkullojë në internet”.

Kërcënimet e të miturve ishin nga më të ndryshmet, duke e rënduar vajzën shumë psikologjikisht, pohojnë burimet policore për “DurrësLajm”. Duke u gjendur në një situatë të tillë, e mitura, nën shoqërinë e dy prindërve denoncon rastin në polici për t’i dhënë fund makthit që e shoqëroi për plot 14 ditë.

S.L.