Këngëtarja e njohur e muzikës popullore, ka bërë një denoncim në profilin e saj në Facebook. Ajo shkruan në statusin e publikuar së fundmi se një organizator koncertesh nuk e ka paguar, duke shkelur kështu edhe marrëveshjen mes tyre.
E indinjuar ajo ka bërë thirrje në rrjetin social që ky status të shpërndahet sa më shumë, në mënyrë që persona të tjerë të mos bien pre e mashtrimeve të tij.
Ja çfarë shkruan Irma:
“Miq të dashur! Unë kam vendosur të bëj publik një fenomen që jo rrallë i ka ndodhur artistëve. Pasi organizatorët e koncerteve propozojnë artistët për festa të ndryshme, lidhen me ca fjalë të cilave duhet t’u qëndrosh korrekt. Ata njerëz që më njohin dhe kanë pasur punë me mua, mund të dëshmojnë korrektesën time ekstreme. Mirëpo jo gjithmonë gjërat shkojnë kështu me palën tjetër. Pasi udhëtojmë me mijëra km e shkojmë në ditën që duhet, në orën që duhet, në vendin që duhet dhe pasi publiku argëtohet, e ne bashkë me ta, në fund kontraktuesi duhet të shlyejë detyrimet. Me personin që shihni në foto nuk ka ndodhur kështu. Ky është Ari Kasapi, që në Facebook ka emrin “Koncerte në ishujt greke”. Pasi e kam njoftuar me disa mesazhe që të përmbushë detyrimin e mbetur nga puna e kryer, ky zotëri nuk më ka kthyer asnjë përgjigje. Në 45 vite karrierë jam përpjekur të marr përgjegjësitë e duhura profesionale, shpesh dhe me sakrifica, prandaj dhe sjellje të këtij lloji nuk i duroj e as nuk i toleroj. Ju bëj thirrje miq, artistë, kolegë e ju publiku im, që të shpërndani këtë post, në mënyrë që askush në asnjë profesion të mos jetë viktimë e këtij fenomeni. Ju faleminderit!”