Gjithmonë e më shumë po shtohen të rinjtë që ngrenë lart emrin e Shqipërisë në vendet e huaja.
I rradhës është rasti i një djali 30-vjeçar, i cili ka mundur të bëjë për vete jurinë e talent-showt ‘The Voice Greece’.
Me zërin e tij ai ka bindur anëtarët e jurisë të shtypin butonin e aprovimit për të vazhduar garën më tej.
Teksa është pyetur për origjinën e tij, Lorenci ka treguar që është shqiptar duke impresionuar jurinë dhe publikun. Ai ka zgjedhur të jetë pjesë e grupit të këngëtares shumë të njohur Elena Paparizu.
Për Gazetën Express Lorenci ka treguar se nuk është ndjerë aspak i paragjykuar për faktin se është shqiptar, madje ai është vlerësuar dhe mbështetur nga të gjithë.
Është vetëm në fillim të rrugëtimit të tij në këtë talent show, por djali nga Durrësi shprehet optimist se pavarësisht talenteve të shumta që marrin pjesë, ai do ja dalë të shkojë sa më larg duke sprovuar veten në rryma të ndryshme muzikore.
Lorenci Xharaj ka treguar për Gazetën Express detaje nga kjo eksperincë e veçantë si dhe për pasionin e hershëm në muzikë.
‘Që i vogel kisha pasion muzikën. Kur pashë për herë në televizion Michael Jackson, në moshën 6 vjecare , dicka më magnetizoi dhe doja te këndoja në publik’ – tregon Lorenci.
Gjithashtu ai ka pohuar se lidhja e tij me muzikën është më tepër se kaq. Ka qenë pikërisht babai i tij kitarist që i ka mësuar akordet e para si dhe njëkohësisht është kritiku i tij më i madh.
‘The Voice’ nuk ka qenë dalja e tij e parë në skenë. Ai ka provuar të konkurojë dhe në disa konkurse të tjera muzikore në Greqi por dhe në Shqipëri.
Lorenci ka qenë gjithashtu pjesë e një prej eventeve më të rëndësishme të muzikës ‘Top Fest 12’ me një këngë që ka qenë kompozim i tij dhe mbante titullin ‘Provokon’.