Dhimbja ka pllakosur familjen dhe të afërmit e Agim Bucit, i cili gjeti vdekjen mbrëmjen e së mërkurës teksa ndodhej në dyqanin e vogël pranë shtëpisë së tij në Kamëz.
Një tentativë grabitjeje, e cila përfundoi me përdorimin e armëve, i kushtoi jetën babait të 4 fëmijëve. Ai tentoi t’i dilte në mbrojtje bashkëshortes së tij 44-vjeçare, e cila mbeti e plagosur në këmbë, por 52-vjeçari nuk pati të njëjtin fat, plumbat e nxjerrë nga arma e grabitësve i morën atij jetën.
Një ditë pas ngjarjes së rëndë, të afërmit e Agim Bucit e kanë shprehur dhimbjen edhe zemëratën për ndarjen e parakohshme nga jeta të njeriut të tyre të dashur në rrjetet sociale.
“U prefsh në paqe, shpirti jot Agim Buci gjithmonë do jesh në zemrat tona. Sa e padrejtë që është jeta, Zoti i vraftë ata që të vranë ty daja dhe nipi im”, shkruan një e afërme e tij.
Reagimet nuk mungojnë as nga ata që Agim Bucin e njihnin nga afër.
” Një fatkeqësi shumë e madhe, e pabesueshme! Agimi qoftë i Xhenetit, ju pastë lënë jetë e shëndet fëmijëve dhe familjes. Zoti ju dhashtë forcë për ta përballur këtë humbje të madhe! Me mendje dhe zemër jemi me ju! Ngushëllime të sinqerta për familjarët dhe të afërmit”. /tvklan





