Marsida Qatja, në banesën e të cilës u vra ish-i dashuri Dritan Haxholli dhe u plagos shoku i saj polic Bledar Toçi, thotë se ky i fundit duhet të ngrihet në detyrë.
Nga Kavaja, duke folur për gazetarët, ajo tha se Bledar Toci duhet të vlerësohet për atë që bëri, pasi i shpëtoi jetën asaj dhe djalit të vogël.
“Më kapte jo për flokësh, jo hajde këtu se do dalim të pimë një kafe. Në qoftë se atij nuk i kishte ngec arma, ne do kishim vdekur që të gjithë. Këtë pjesë e vuaj shumë. Pjesën e burrit. Po e përjetoj keq. Di të them ai vetë e kërkoi, as nuk i bëmë plan, erdhi vetë me armë siç vinte çdo natë. Gjuajti vetë i pari. Ndërsa pjesën e Bledarit, jo se është shoku im, por mendoj që ai duhet të ngrihet në detyrë sa më lart. Sepse bëri diçka se ne do të kishim vdekur të gjithë. Dritani ka drejtuar armën tek fëmija im, që sapo po i gjuante i ngeci dhe arma. I gjuajti Bledarit. Kur donte me vra fëmijën tim, Bledari pastaj kërkoi vetëmbrojtje normal. Bledarit kur i kërkova ndihmë i thashë vjen çdo natë. Marsida tha do vij unë. Me kë je në shtëpi? Vetëm me çunin e vogël. Ok tha, thirr dhe njeri tjetër mos rrish vetëm në shtëpi. I thashë kam Xhuljon, që Xhuljo rrinte shpesh me mua”, u shpreh Marsida Qatja.
Dritan Haxhollin kishte shkuar me kallashnikov në banesën e 30-vjeçares. Aty u përball me mikun e saj Bledar Tocin, shef i sigurisë së brendshme të burgut të Durrësit. Në banesë ndodheshin edhe dy fqinjë të 30-vjeçares, të cilët i kishte thërritur ajo. Dritan Haxholli ishte i pari që qëlloi me armë, por mbeti i vdekur nga reagimi i Bledar Tocit. Kurse ky i fundit mbeti i plagosur.
Shefi i sigurisë së brendshme të burgut është arrestuar tashmë nga policia për akuzën e vrasjes me dashje. Marsida Qatja, nënë e tre fëmijëve, në momentin e ngjarjes ka qenë në banesë edhe me djalin 2 vjeç. Dy fëmijë i ka nga martesa e parë, kurse aktualisht është e martuar me një burrë tjetër, i cili vuan dënimin me burg në Gjermani për drogë.





