Dy policë po bënin punën e tyre të zakonshme kur më 13 korrik të vitit të kaluar kishin vendosur të plotësonin një gjobë për një person që kishte parkuar veturën në vendin e ndaluar, në Prizren. Vendimi për ta “doli të ishte i gabuar”, pasi personi që ngiste veturën zyrtare ishte shoferi i ministrit pa portofol në Qeverinë e Kosovës, Rasim Demiri. Me t’u afruar te vetura iu kishte rekomanduar policëve që të mos shqiptonin dënimin, ndërkohë që ua kishte bërë me dije atyre se është ministër.
Por, fakti se në atë veturë po futej një ministër nuk u la fare përshtypje dy policëve Nazmi Jahiri dhe Enver Sejfullahu, të cilët thonë se në atë moment vetëm po e kryenin detyrën sipas ligjit.
Menjëherë pas këtij veprimi, ministri Demiri kishte ushtruar autoritetin e tij duke bërë kërkesë për pezullimin e policëve.
Në njoftimin zyrtar të Drejtorisë së Standardeve brenda Policisë së Kosovës, thuhej se të dy policët kishin bërë shkelje të rënda disiplinore dhe se për këtë po fillonin hetimet. /Zëri