“Këto janë kalamanllëqe, janë lapera, se unë jam gjithë ditën në rrugë të madhe dhe nëse do ai më del e më rreh.
Unë dua të zbardhet vetëm pse ma bëjnë këtë gjë.”
Ka qenë kjo deklarata e pronarit të biznesit në zonën e Kënetës në Durrës, biznesi i të cilit u sulmua me lëndë eksplozive.
Shaban Aga ka deklaruar se kjo është hera e pestë që sulmohet brenda muajit në banesën e tij dhe bën apel për gjetjen e autorëve dhe vendosjen e drejtësisë.
“Është e pesta herë brenda muajit që e kanë sulmuar në banesën e tij. Dy herë më kanë hyrë në banesë dhe më kanë lyer makinën me benzinë. Dy herë më kanë qëlluar në drejtim të banesës me armë dhe kjo është hera e pestë që më hedhin tritol.
Jetoja vetëm me gruan në shtëpi, ndërsa mbrëmë gruan e kisha çuar te njerëzit e saj.
Nuk kam asnjë problem me atë person që thotë policia, nuk i kam ndonjë borxh. Unë kam 22 vjet që jetoj në zonën e Kënetës, më njeh gjithë lagjja që unë nuk i kam borxh askujt.
Ai mendon se djali im i ka borxh 31-vjeçarit nga Burreli, por djali im është sqaruar.
Para disa muajsh më ka çuar fjalë ky person që ka pasur një borxh të pashlyer me djalin tim në Angli, por i thashë nga unë si prind a të kam ndonjë detyrim, unë si person? Unë nuk i kam gjë detyrim dhe as djali nuk i ka, është sqaruar. Dua që këtë çështjes ta zgjidhë policia, ose më duhet të iki nga shtëpia ime, por s’kam pse të iki, ose të gjej rrugë të tjera që të zgjidh këtë problem
Kërkoj drejtësi, të zbardhet kjo ngjarje. Kush janë këta persona të interesuar të më godasin, kur unë filmimet ia kam çuar dhe policisë”, tha 58-vjeçari.
I pyetur nëse kjo ka të bëjë me politikën, duke qenë se është kryetari i grupseksionit të PD në lagje, Aga mohoi.
“Nuk besoj se ka motiv politik ky sulm”, tha ndër të tjera ai.





