Kreu i Bashkisë së Burrelit Nezir Rizvani ka folur në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmë para derës së banesës së tij në lagjen “Drita” në Burrel.

Ai deklaroi për “BalkanWeb” se nuk ka pasur asnjë lloj kërcënimi apo konflikti dhe se nuk ka dyshimet tek ndonjë person për vendosjen e eksplozivit pranë apartamentit të tij.

Lënda plasëse ishte vendosur në shesh pushim me një distancë 160 cm larg derës së banesës të shtetasit M.B, rreth 55 vjeç, dhe 2 metra larg derës së banesës të Rizvanit, 53 vjeç, Kryetar i Bashkisë Mat.

Në të dy banesat nuk ka pasur asnjë njeri. Si pasojë e shpërthimit, janë dëmtuar pjesërisht dy dyert e banesave. Dyshohet se sasia e lëndës plasëse të ketë qenë rreth 50 deri në 100 gramë.

Zoti Rizvani ju nuk keni qenë në banesë. A keni indice se nga ka ardhur?
Ka ndodhur një shpërthim në hyrjen e pallatit ku banoj dhe unë. Nuk kam qenë në apartament, akoma nuk kam shkuar në shtëpi.

Kur jeni njoftuar për shpërthimin?
Mbrëmë pas shpërthimit jam njoftuar.

Ju ka marrë policia, keni dëshmuar për persona që mund të kenë lidhje me ngjarjen?
Jo, nuk kam qenë. Tani do shkoj.

Mendoni se jeni ju objektivi i këtij sulmi?
Unë nuk kam asnjë lloj konflikti. Është policia që do e sqarojë. Edhe familja tjetër përballë është familje emigrantësh, nuk besoj të ketë konflikte. Është një familje punëtore.

Në katin katër ku ka ndodhur shpërthimi jeni 2 familje?
Janë 4 familje. Është vendosur më afër banesës sime dhe të fqinjit.

A keni pasur ju konflikte?
Jo nuk kam pasur asnjë lloj konflikti. Jo konflikte që mund të çojnë deri këtu, por as konflikte më të thjeshta. Nuk gjej arsye.

A keni pasur ndonjë kërcënim?
Jo absolutisht. Nuk kam asnjë lloj dyshimi.