Baftjar Bruka, personi i dyshuar që shpërtheu me tritol farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, është ekstraduar në Shqipëri.

Interpol Tirana ka ekstraduar nga Suedia, 24-vjeçarin nga Kukësi që akuzohet edhe për vendosjen e bombës së telekomanduar pranë urës “Vasil Shanto”, e cila u arrit të çaktivizohet në kohë.

Baftjar Bruka u arrestua në qershor të vitit të kaluar në Suedi, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtare, për një seri veprash penale që rëndojnë ndaj tij, “Krijim të grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, që sipas Kodit Penal rrezikon dënimin maksimal burgim të përjetshëm. Po ashtu ai është akuzuar në Itali si kreu i një celule terroriste.

Në lidhje me ngjarjet e 10 shkurtit, është arrestuar dhe Vladimir Gjuta, i cili akuzohet si ideator i sulmit në farmacinë e babait të Saimit Tahirit, dhe dyshohet se qëndron edhe pas kërcënimit me jetë të ministrit të Brendshëm.