Lirohet nga qelia efektivi i forcave ‘Delta’ Lisjan Myrtaj, i cili do të hetohet në gjendje të lirë, pak ditë pasi u përplas me armë zjarri me të shpallurin në kërkim Bernard Aliaj, djalin e kryeplakut të Kaninës.

Mësohet se prokurori kërkoi që ndaj punonjësit të policisë të nisnin hetimet për akuzën e “Vrasjes me dashje” mbetur në tentativë në dëm të Aliajt e kërkoi arrest me burg, por nuk iu aprovua nga gjykata.

Gjyqtari Enkel Peza, pas shqyrtimit të dosjes penale caktoi ndaj tij masën e sigurisë “Detyrim paraqitjeje” ndaj Myrtajt. Efektivi i policisë rezulton se ka qëlluar 7 herë me armën e shërbimit në drejtim të Aliajt.

Ngjarja ndodhi pak ditë më parë në Vlorë. Sherri mes të rinjve nisi për një vajzë dhe degradoi në përdorimin e armëve. Nga të shtënat nuk pati asnjë të plagosur, ndërkohë që Aliaj është ende në kërkim.