Një i ri 18-vjeç ka mbetur i plagosur me armë zjarri dhe dy të tjerë janë dhunuar mbrëmjen e djeshme në vendin e quajtur “Shkalla e Garunjasit” në fshatin Ballagat të Lushnjes.

Tre djemtë udhëtonin në një mjet tip “Volksvagen Touran”, kur janë ndaluar me dhunë nga dy persona dhe janë qëlluar me mjete të forta.

Njëri prej tyre ka marrë edhe një plagë plumbi në bark. Tre të lënduarit janë Amarildo Shabani 18 vjeç, Daniel Salliu 18 vjeç dhe Florenc Pushka 20 vjeç nga fshati Gjocaj i Peqinit. Amarildo Shabani është prekur nga cifla e një plumbi rikoshet e qëlluar nga një armë tip kallashnikov.

Shabani është jashtë rrezikut për jetën ashtu si dhe dy shokët e tij, por është nisur drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për mjekim më të specializuar. Duket se grabitësit kanë pasur si qëllim të marrin mjetin e tyre pasi viktimat kanë deklaruar para policisë se janë ndjekur nga dy persona që udhëtonin me motoçikletë.

Policia ka nisur hetimet për të zbardhur autorët ndërsa në vendin e ngjarjes policia ka gjetur gëzhojën e një fisheku model 54 dhe disa mbetje të sendeve me të cilat janë goditur të plagosurit.

Policia nuk ka ende një version të saktë për ngjarjen.