I zhdukur prej 28 gushtit, është gjendur i pajetë biznesmeni shqiptar Xhani Topalli.
46-vjeçari është vrarë nga një hotelier në ishullin e Rodosit, i cili tashmë është arrestuar.
Pronari i hotelit 53-vjeçar pranoi vrasjen e tij dhe më pas tregoi para autoriteteve se ku e kishte lënë trupin. Trupi i pajetë i 46-vjeçarit Topali u gjet në një rrugë të shkretë mes Psinthos dhe Afantos, ndërsa dosja do t’i kalojë sot Prokurorisë për procedim të mëtejshëm.
Sipas informacioneve, vdekja është shkaktuar nga mbytja me litar, ndërsa për bashkëpunim është arrestuar edhe djali i autorit, i cili dyshohet se e ka ndihmuar në transferimin e trupit.
Biznesmeni, baba i tre fëmijëve, rezultonte i zhdukur që prej datës 28 gusht, kur pati një takim me një hotelier 53-vjeçar nga Kallithea për t’i shlyer detyrimet sipas një marrëveshjeje që kishin lidhur.
Siç u bë e ditur, 46-vjeçari kishte llogari të hapura dhe tentonte të mblidhte borxhin nga biznesmenë të ndryshëm.
Mbrëmjen e së dielës rreth orës 23:00 ka pasur një takim me një hotelier me të cilin kishin patur marrëveshje në prani të një avokati për shlyerjen e borxheve nga një projekt tjetër.
Hotelieri 53-vjeçar në deklaratën e parë që u kishte thënë autoriteteve se takimi i tyre ishte anuluar.
Megjithatë, gjatë hetimeve, provat dolën kryesisht nga kamerat që e treguan se ata ishin takuar në një pikë ngjitur me njësinë hoteliere, shkruan Protothema.





