Itali, 20 korrik 2014 – Emigranti shqiptar Edmond Përjaku, 40 vjeç, rezulton i zhdukur prej disa ditësh. Edmondi është banor i qytezës së Mota di Livencës (Motta di Livenzza), në provincën e Trevizos. Ai ka në Shqipëri ish-gruan Orjonën, një djalë 8 vjeç dhe nënën e moshuar. Pikërisht familjarët e tij në Shqipëri kanë dhënë alarmin pranë autoriteteve italiane për zhdukjen e Perjakut, që banon në vendin fqinjë prej shumë vitesh dhe është emigrant me dokumente të rregullta madje ka qenë dhe pronar i një dyqani për shitje automjetesh të përdorura në zonën e Pordenones.
Nuk është hera e parë, që Perjaku përfshihet në telashe. Në vitin 2011, dy romë i fyen të dashurën, në një parkim makinash. Ai ndërhyri në mbrojtje të së dashurës dhe u sulmua me grushta e shkelma nga romët.
Për të shpëtuar veten dhe të dashurën u ndërseu qenin Pitbull, që kishte në makinë. Romët me precedentë të shumtë penalë ishin të armatosur dhe para se t’ia mbathnin nuk hezituan të hapnin zjarr me pistoletë duke e plagosur rëndë. Policia italiane beson se episodi i vitit 2011 nuk ka lidhje me zhdukjen e Perjakut.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





