Hetuesit kanë në duar pamjet ku avokati Besnik Muço, i zhdukur që prej datës 2 Nëntor 2017, shfaqet në portin e Durrësit. Lajmi bëhet i ditur nga mediet lokale në Itali, ku avokati jetonte prej vitesh bashkë me familjen.

Sipas të njëjtave burime, në pamjet filmike shihet avokati i cili ulet në sallën e pritjes së portit për të marrë tragetin e Adria Ferries për në Itali, e më pas drejtohet drejt mjetit lundrues. Përgjigjet i janë dërguar autoriteteve italiane, ku gjithashtu ka nisur një hetim lidhur me rastin.

Edhe prokuroria shqiptare ka nisur një hetim për rrëmbim personi. Për shumë vite, avokati ishte transferuar me banim në Macerata dhe më 2 nëntor ai duhej të niste rrugën për të shkuar në Itali. Në vend të kësaj, që nga ajo ditë, gjurmët e tij kanë humbur. Në traget u gjetën edhe dokumente të avokatit, por ende asnjë gjurmë e tija.

Një kallëzim në policinë e Durrësit për zhdukjen e avokatit, u bë nga vëllai i tij, i cili jeton në Shqipëri. Po ashtu dhe gruaja e avokatit denoncoi zhdukjen e burrit tek autoritetet italiane. Kështu, në dy vendet nisi një hetim paralel për zhdukjen e Besnik Muços.