Shumë i zhgënjyer ishte trajneri i skuadrës së Gjermanisë, Joakim Lëv, pas ndeshjes së humbur ndaj rivalëve historikë, Holanda.Për “RTL”, Lëv u shpreh se kundërshtari ishte skuadra më e mirë në fushën e lojës dhe se e fitoi me meritë ndeshjen. “Ishte një ndeshje e çuditshme.

Në start menduam se mund ta fitonim takimin, pasi shënuam të parët. Por më pas gjithçka u bë shumë e vështirë për ne. Një rezultat i tillë është shumë zhgënjyes. Por Holanda ishte gjatë gjithë 90-minutëshit skuadra më e mirë në fushën e lojës dhe fitorja e tyre ishte e merituar”, tha tekniku gjerman.

Lëv tregon se çfarë nuk shkoi me skuadrën e tij në sfidën e luajtur në Hamburg.

“Humbëm shumë topa në mesin e fushës, kjo na çoi në zona të rrezikshme. Në pjesën e dytë holandezët u bënë më të frikshëm dhe presioni i tyre ishte mbytës. Ishte e pamundur që të gjenim një rrugë shpëtimi. Gjërat nuk funksionuan në mënyrën e duhur, lojtarët morën pak iniciativa dhe na mungoi dëshira për ta mbyllur takimin. Nëse Rojs do të ishte treguar më i saktë në fund të pjesës së parë, atëherë do të ishte një ndeshje tjetër, këtë jua garantoj.

Nojer duhet të bënte një punë që nuk ishte e tij, pasi shumë topa shkonin në drejtim të tij, ndërkohë që mund të mendonim zgjidhje të tjera gjatë takimit. Nuk ishte sfida që prisja të shihja, zhgënjimi është shumë i madh te lojtarët dhe tifozët në stadium të cilët ishin të shumtë dhe në asnjë moment nuk kursyen mbështetjen e tyre ndaj skuadrës”, tha Lëv.

Gjermania edhe pse doli pa pikë nga ky takim mund të ngushëllohet me faktin se vazhdon të renditet ende në vendin e dytë me tri pikë më shumë se holandezët, të cilët tani i favorizon kalendari pasi do të ndeshet me Bjellorusinë, Estoninë dhe kryesuesit e Irlandës së Veriut.