Rreth 90 kilogramë kanabis sativa e paketuar në 17 thasë është sekuestruar nga policia e Gjirokastrës.

Në pranga ka rënë një person, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Hetimi për këtë rast ka nisur kur Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka marrë një informacion nga një burim anonim se në lagjen “Pllakë”, Gjirokastër, në banesën e shtetasit H.X., i cili prej dy muajsh jetonte familjarisht në shtetin grek, kishte lëndë narkotike. Banesa e këtij shtetasi mirëmbahej nga një i afërmi i tij.

Në bazë të këtij informacioni u krye kontroll në këtë banesë, dhe si rezultat i operacionit rezultoi se në një nga ambientet (qilarin) e shtëpisë u gjet e ambalazhuar në 17 thasë një sasi prej 90 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa dhe një arkë me fishekë.

Sipas policisë, u bë ndalimi i shtetasit (personi që mirëmbante shtëpinë) Hajri Dervishi, 59 vjeç, banues në lagjen "Puntore", Gjirokastër, si dhe u bë shpallja në kërkim e H.X. (pronari i shtëpisë).

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprat penale “Prodhim dhe shitje të narkotikeve e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit e kryer në bashkëpunim”.