Ndeshja mes Olimpiakos dhe Bajern Mynih në Uefa Youth League është ndërprerë nga një akt i paprecedent huliganizmi, pasi tifozët grekë kanë sulmuar duke gjakosur mbështetësit e bavarezëve të pranishëm në këtë ndeshje.

Ishte minuta e 84 e sfidës e cila u ndërpre derisa u kthye rendi në tribuna dhe policia largoi huliganët e shoqëroi në spital të plagosurit e përgjakur.

Më pas, zyrtarët e UEFA-s i kërkuan lojtarëve të dy skuadrave që të mbyllnin minuta e mbetura të ndeshjes, meqë kishin mbetur pak e që rezultati teknik të mos vendosej në komisionet disiplinore, edhe pse Bajern po fitonte 4-0.

Por lojtarët nuk kishin ndër mend që të zhvillonin një duel të tillë sikur të mos kishte ndodhur asgjë, ndaj shpikën një lojë të tyre për minuta e mbetur.

Njëlloj si në stërvitje, ata u mblodhën së bashku në rrethin e mesit të fushës dhe luajtën në rreth me dy lojtarë brenda. Kështu, ata kaluan minutat deri në vërshëllimën finale që dekretoi mbylljen e duelit.