Për më se një muaj ekspozita me disa nga punimet më të mira të Kodrës do të qëndrojë e hapur në ambientet e Galerisë së Arteve në Tiranë. Gjatë krijimtarisë së tij ai nxori nga duart rreth 6.000 vepra artistike. Ndërsa piktori i famshëm durrsak është ndarë nga jeta gjashtë vjet më parë, projekti për hapjen e një galerie që do mbante emrin e tij fle në sirtarët e pushtetit lokal të Durrësit

Me rastin e 100- vjetorit të pavarësisë së vendit disa nga krijimet e piktorit të njohur durrsak Ibrahim Kodra janë kthyer në atdheun e tij për t’u ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Arteve. Ekspozita me titull “Shqipëria fantastike” do të qëndrojë e hapur nga data 13 prill deri në 20 maj. Piktori i lindur në komunën Ishëm, Durrës më 22 prill të 1918 e zhvilloi gjithë krijimtarinë e tij jashtë atdheut. Ai u largua nga vendlindja kur ishte vetëm 18 vjeç për të vijuar studimet e larta në Akademinë e Arteve Figurative të Breras.

Krijimtaria

Gjithë krijimtarinë e tij artistike Ibrahim Kodra e zhvilloi jashtë atdheut, pasi gjatë viteve të regjimit komunist ai nuk u kthye më në Shqipëri. Vetëm pas viteve ’90 ai arriti të vinte sërish këmbë në vendlindje. Pavarësisht origjinës shqiptare shumë pak piktura të këtij piktori të famshëm durrsak ndodhen në atdheun e tij.

Realizimi i kësaj ekspozite të Ibrahim Kodrës është bërë i mundur falë bashkëpunimit me fondacionin me të njëjtin emër. Gjatë gjithë 88 viteve të jetës së tij, Kodra ka punuar mbi 6.000 piktura, të shpërndara në shumë koleksione, muze apo vende të ndryshme të botës.

Vetëm 2.000 prej këtyre veprave janë të regjistruara dhe të dokumentuara si piktura të tij. Hapja e kësaj ekspozite ka si qëllim primar njohjen e veprës dhe krijimtarisë së piktorit Kodra nga artdashësi shqiptar. Fondacioni “Ibrahim Kodra” disponon vetëm disa qindra piktura të tij, pasi pjesa tjetër është shitur që kur Kodra ishte ende gjallë.

Talenti i këtij piktori durrsak është vlerësuar mjaft nga bashkëkohësit e tij, ndërsa një fakt tjetër që flet për vlerat e këtij artisti të përmasave europiane është fakti se ai ka marrë pjesë ne ekspozita kolektive me disa nga piktorët më të njohur botërorë si Picasso, Dali, Corneille, Gear, Panseca, Braque etj.

Galeria në sirtar

Shtatë vjet më parë, pak muaj para se piktori Ibrahim Kodra të mbyllte përgjithmonë sytë, shumë artistë italianë (bashkëkohës apo njohës të afërt të krijimtarisë së tij) sollën në vendlindjen e tij 119 vepra artistike, në pikturë dhe skulpturë, të cilat do të kontribuonin për ngritjen e galerisë së piktorit të famshëm shqiptar.

Në atë kohë veprat ju dhuruan bashkisë së Durrësit që kishte në plan të hapte galerinë “Ibrahim Kodra”, por shtatë vite më pas kjo mbetet ende një ëndërr në sirtar. Të gjitha veprat që do të shërbenin për hapjen e galerisë ndodhen në fondin e galerisë së arteve figurative të qytetit, por vetëm pak prej tyre janë ekspozuar në raste të veçanta.

Në një intervistë për të përjavshmen “Dyrrah”, drejtori i rrjetit muzeor të qytetit, Edmond Agolli u shpreh se veprat ishte planifikuar të ekspozoheshin në katin e parë të shtëpisë muze “Aleksandër Moisiu”, pas largimit nga andej të zyrave të Drejtorisë rajonale të kulturës kombëtare.

Por njohja e pronës pronarit të ligjshëm, vë tashmë në diskutim vetë ekzistencën e muzeve që janë vendosur në shtëpinë me çardak të shekullit XIX-të. Për sa kohë nuk dihet fati i këtyre muzeve dhe destinacioni i fondit të veprave artistike që ruhen në galerinë e qytetit nuk mund të mendohet hapja e kësaj galerie.

Kështu që mesa duket projekti i galerisë “Ibrahim Kodra” do të flejë edhe për ca kohë në sirtar. Për kontributin e madh të dhënë prej Kodrës në artet figurative, Presidenti i Republikës e nderoi atë me titullin e lartë “Nderi i Kombit”.

Eshtrat e piktorit që më mirë se kushdo tjetër përfaqësoi pikturën shqiptare kudo në botë prehen në komunën e Ishmit vetëm pak kilometra larg fshatit Likmetaj ku ai lindi më 94 vjet më parë.