Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në konferencën e nivelit të lartë “Politikëbërja në “ujëra të turbullta”: Nxitja e Elasticitetit në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE)”, e cila u mbajt në datat 2 dhe 3 qershor, në Dubrovnik të Kroacisë, organizuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Kombëtare e Kroacisë.

Konferenca u fokusua në mënyrën se si të nxitet elasticiteti në CESEE, në një mjedis ekonomik ku rreziqet e fragmentimit janë rritur dhe goditjet e furnizimit si kriza e vazhdueshme e energjisë pas luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe, në mënyrë të pashmangshme, ndryshimeve klimatike.

Diskutimet u përqendruan duke pasur në fokus të ardhmen, në menaxhimin e ekonomive kur ka paqartësi të mëdha, me konkluzionin që vëmendja duhet të jetë gjithmonë në atë që pritet të ndodhë në të ardhmen, në kujdesin për zhvillimin ekonomik dhe ambientin.

Politikëbërësit kryesorë nga rajoni, akademikë, ekspertë të organizatave ndërkombëtare, diskutuan mbi sfidat dhe opsionet e politikave për : rritjen e sigurisë energjetike mes tregjeve të fragmentuara të energjisë; përshtatjen me ndryshimet e vazhdueshme në modelet tregtare dhe të investimeve të huaja direkte në mes të nacionalizmit ekonomik dhe rimendimit të zinxhirëve të furnizimit; drejtimi i politikave makroekonomike dhe strukturore përmes një bote me goditje më të shpeshta të ofertës.

Ministrja Ibrahimaj ishte pjesë e sesionit “Tryeza e Politikës: Drejtimi i politikave makroekonomike përmes goditjeve më të shpeshta të ofertës”, së bashku me drejtoren menaxhuese të FMN, Kristalina Georgieva, Zëvendës President Ekzekutiv të Komisionit Evropian, Valdis Dombrovskis, dhe Kryetarin e Bordit të Bankës së Lituanisë, Gediminas Šimkus.

Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj u fokusua në rolin e politikës fiskale sa i përket sfidës së uljes së nivelit të inflacionit dhe stabilizimit të ekonomisë përballë goditjeve të ofertës, si dhe nevojën që kanë vendet e rajonit për të rindërtuar hapësirën fiskale dhe forcuar kuadrin e politikave fiskale, në mënyrë që të përballojnë goditjet e mundshme në të ardhmen.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja theksoi faktin se Shqipëria në dy dekadat e fundit ka arritur të mbajë një politikë fiskale relativisht të pavarur, e cila ka qenë një faktor kyç në përballimin e disa goditjeve, si tërmeti i vitit 2019, pandemia Covid 19 apo efektet e luftës Rusi-Ukrainë.

Ministrja përmendi disa masa të ndërmarra nga qeveria shqiptare gjatë vitit të kaluar, të cilat ndikuan në nivelin e inflacionit në Shqipëri, i cili rezultoi ndjeshëm më ulët se sa në shumë vende të tjera të rajonit, një prej të cilave ishte mbështetja e shtresave në nevojë, duke bërë disa prioritete të shpenzimeve dhe duke krijuar hapësirën e nevojshme fiskale për këtë.

Ndërsa theksoi se politika fiskale mund të luajë një rol vendimtar në menaxhimin e inflacionit, Ministrja tha, se është e rëndësishme se ajo duhet të zbatohet në koordinimin me politikat e tjera makroekonomike dhe të udhëhiqet nga një strategji ekonomike gjithëpërfshirëse.

Edhe në rastin e krizës së pandemisë Covid 19 doli në pah rëndësia e masave fiskale për të mbështetur bizneset, për të ruajtur punësimin dhe për të stimuluar aktivitetin ekonomik.

Ministrja tha se vendet e rajonit duhet të rindërtojnë hapësirën fiskale dhe forcojnë kuadrit e politikave fiskale për të rritur elasticitetin dhe aftësinë e tyre,  për të përballuar goditjet e e mundshme në të ardhmen.