Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj paraqiti sot në Komisionin e Punës dhe Çështjeve Sociale ndryshimet në ligjin “Për strehimin social”.

Ibrahimaj bëri të ditur se ndryshimet ndër të tjera sigurojnë zgjerimin e përfituesve edhe me kategorinë e të punësuarve në administratën publike, të rinjtë dhe familjet e reja.

Sipas saj, krahas masave që Qeveria po ndërmerr për rritjen e pagave, programi politik qeverisës 2021-2025 synon të adresojë nevojën e familjeve të reja për strehim dhe krijimin e më shumë mundësive dhe siguri për të rinjtë në krijimin e familjes dhe ndërtimin e të ardhmes në vendin e tyre.

“Ndryshimet propozojnë riformulimin e kategorisë “çift i ri” në “familje të reja” (shpesh herë është keqinterpretuar se çifti i ri nuk përfshin fëmijët) si edhe ndryshimin e kufirit moshor, duke qenë se familjet e reja po krijohen gjithnjë e më shumë në një moshë më të madhe se më parë”, u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja theksoi se ndryshimet ligjore propozojnë shtimin e një kapitulli të ri që adreson mbështetjen me kredi të lehtësuara për strehimin e të punësuarve të administratës publike.

“Programi i kreditimit të lehtësuar është nga programet më të kërkuara nga qytetarët. Në vitin 2013 ky program u pezullua për shkak të mbartjes së një borxhi prej mbi 300 milionë lekë ndaj bankës me të cilën zbatohej ky program. Në vitin 2019 e rihapëm përsëri programin duke parë edhe rënien e normave të interesit. Nga viti 2020 kanë përfituar 1 150 familje dhe janë në proces edhe 1 500 familje të tjera, por procesi është ngadalësuar për shkak të vështirësive në gjetjen e banesave me çmime të përballueshme në treg”, tha Ibrahimaj.

Lidhur me këtë të fundit ministrja informoi se Këshilli i Ministrave ka miratuar udhëzimin mbi metodologjinë e llogaritjes së vlerave mesatare të shit-blerjes së banesave në treg. Kjo metodologji ka munguar deri më sot dhe tashmë bëhet e mundur që, në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, Enti Kombëtar i Banesave të llogarisë sa më parë vlerat e rishikuara të tregut të banesave.

Një tjetër risi që sjell ligji i ri është digjitalizimi i plotë i sistemit të strehimit.

“Digjitalizimi i sistemit të strehimit mbart disa avantazhe si për qytetarët ashtu edhe për administratën vendore e qendrore. Për qytetarët bëhet më i thjeshtë procesi i aplikimit për strehim dhe më transparent procedura e përzgjedhjes. Lidhur me sistemin e digjitalizimit të strehimit, ligji ka pësuar disa ndërhyrje, të cilat mundësojnë: nxjerrjen e një akti nën ligjor që do të përcaktojë procedurën e paraqitjes së kërkesës online dhe rolet e përdoruesve, si edhe procedurën e miratimit, duke e bërë të gjithë procesin transparent; ngritjen online të data-bazës së strehimit për Republikën e Shqipërisë”, deklaroi ajo.

Një tjetër ndryshim është edhe përfshirja e masa administrative që sipas ministres do të kontribuojnë në rritjen e përgjegjshmërisë në zbatimin korrekt të parashikimeve ligjore.

Masat administrative i referohen strukturave zbatuese të parashikimeve ligjore, të cilat janë në nivelin e vetëqeverisjes vendore.