Zlatan Ibrahimoviç me shumë mundësi do të largohet nga Milani në fund të sezonit, teksa nuk dihet ende nëse do të vazhdojë karrierën në ndonjë ekip tjetër apo do i japë fund futbollit të luajtur.
Ditët e fundit kanë qarkulluar lajme se suedezi mund të kalojë te Monza, ekip në pronësinë e ish-presidentit të Milanit, Silvio Berluskoni. Megjithatë për t’i shuar ëndrrat e tifozëve të Monzës, ka menduar Adriano Galiani.
Ky i fundit në një intervistë të dhënë është shprehur: “Ardhja e Ibrës është e pamundur. Le t’i japim fund ëndrrës për ardhjen e suedezit. Efektet anësore të Koronavirusit na e bëjnë të pamundur afrimin e sulmuesit në ekipin tonë. Tani për shkak të situatës ku ndodhemi, nuk është asgjë e qartë, pasi ende nuk dimë se kur do nisë futbolli”, u shpreh Galiani.





