Qëndrimi në vilën e tij në Malmoe mund t’i shërbejë për të qartësuar idetë. Zlatan Ibrahimoviç është i ‘ngujuar’ dhe përfiton nga kohë për të zgjidhur të ardhmen. Do të qëndrojë te Milani apo do të lerë fare futbollin, kjo është dilemma për sezonin e ardhshëm si për vetë sulmuesin, por po ashtu edhe për tifozët milanistë.Largimi i Zvonimir Bobanit ul ndjeshëm shanset e Ibrës për që mbetur kuqezi e në këto kushte ai pret të shohë zgjedhjet e klubit në lidhje me Paolo Maldinin dhe Stefano Piolin.

Dyshja mund të shërbejë për të bindur 38 vjeçarin, por kushti i tij kryesor janë qëllimet e Milanit. Sipas ‘La Gazzetta dello Sport’ Zlatani kërkon garanci për të ardhmen, por edhe investime, ndaj vendimi i tij do të ndikohet në pjesën më të madhe nga plani i merkatos, të cilin, për hir të së vërtetës, Milani nuk e ka. Në pak muaj u pa qartë ndikimi i suedezit në skuadër, ndaj ai është i mendimit se me disa shokë më cilësorë, sezoni i ardhshëm mund të jetë më interesant.

Vendimtare në këto ditë do të jetë edhe qëndrimi i Ivan Gazidhist. Administratori duhet të vendosë nëse do të synojë te Ibra ose jo.Është e qartë që një ekipi nuk mund të mbështetet në një 39 vjeçar (Ibra i mbush në tetor) , ndaj do të duhet të vendoset të paktën një linjë orientuese nga klubi për atë që do të jetë raporti me Zlatanin dhe strategjia për atë që thuhet se do të jetë revolucioni i radhës te ‘Djalli’. Ditët e fundit përflitet se nëse Ibrahimoviç largohet, do të shkojë te Napoli i mikut Gatuzo.

Në fakt suedezi e mori në konsideratë skuadrën jugore kur la Amerikën. Sipas ‘tuttonapoli’, 38 vjeçari mund të kishte pranuar nëse në krye të saj do të ishte Ançeloti, por kaosi në atë klub, e shtyu drejt Milanit që asokohe kishte vetëm probleme në aspektin e rezultateve sportive.Siç thamë, fundi i sezonit do të hedhë dritë mbi të ardhmen e Ibrës që mes pistave për të vazhduar mund të ketë edhe atë zikaltër. Interit mund t’i interesojë një sulmues me përvojën e suedezit, aq më tepër që në rast largimi të Lautaros, ndryshimet e vijës së parë në ekipin e Kontes do të jenë drastike pasi vendin e sigurt e ka vetëm Romelu Lukaku.