Zlatan Ibrahimovic është shumë entuziast për fillimin e aventurës së tij të tretë me kuqezinjtë, këtë herë pas tavolinës. 

Suedezi, i cili do të jetë këshilltari i pronarëve, do të punojë në një bazë më të gjerë me fondin amerikan RedBird.

Gerry Cardinale e dëshiron fort atë, i cili gjithashtu do të shfrytëzojë imazhin e 42-vjeçarit, të njohur në të gjithë botën.

“Të jesh pjesë e së ardhmes së Milanit është diçka që vetëm mund ta kisha ëndërruar. Dashuria ime për kuqezinjtë nuk do të përfundojë kurrë. Jam jashtëzakonisht mirënjohës që bashkohem me RedBird dhe Milan në këtë rol të rëndësishme dhe me ndikim. RedBird ka bashkëpunuar me disa nga atletët, ekipet dhe figurat më të mëdha të biznesit në botë për të krijuar biznese me kuptim dhe ndikim. Pres me padurim të kontribuoj në aktivitetet e investimit të pronave të tyre në sport, media dhe argëtim. I jam mirënjohës Gerry që ma ka vënë në dispozicion këtë mundësi”, tha Ibrahimoviç.

Më pas fjalë të tjera mjalti për pronarët amerikanë, të cilët mbërritën në krye të Milanit menjëherë pas fitimit të titullit të 19-të.

“Unë e admirova shumë përkushtimin, pasionin dhe punën e palodhur që RedBird dhe drejtuesit e lartë kanë treguar që kur morën klubin. Ky nuk është një vendim që e marr lehtë – është shumë i rëndësishëm dhe personal për mua dhe familjen time. Kam menduar gjatë dhe shumë për hapat e parë të karrierës sime jashtë futbollit, dhe nuk mund të isha më i emocionuar për fillimin e këtij udhëtimi si një anëtar i RedBird dhe Milan. Për mua dhe familjen time, ky është me të vërtetë një kthim në shtëpi, në klubin e dashur ku përfundova karrierën time si lojtar dhe tani po filloj kapitullin e ardhshëm”, deklaroi Ibra.