Zlatan Ibrahimovic nuk arrin ta përtypë barazimin 1-1 ndaj Evertonit duke dalë kundër shokëve të skuadrës. Sulmuesi i Manchester United nuk zgjedh gjuhën diplomatike, madje zgjedh fjalët e ashpra duke krijuar një situatë të pazakontë.“Unë jam një luan, shokët e mi janë kotele. Është një dështim ky sezon sepse as nuk e mbaj mend vitin kur jam renditur i dyti në kampionat”.
Moment negativ për Manchester United, sepse pas sulmit të Mourinhos ndaj skuadrës në përfundim të ndeshjes ndaj West Bromvich, në skenë del shtatlarti suedez. Barazimi i tretë rresht në “Old Trafford” dhe klasifikimi është pasqyra e një sezoni pothuajse katastrofik në Premier League. “Djajtë e Kuq” renditen në vendin e pestë me 4 pikë diferencë nga Manchester City dhe në këtë mënyrë, kualifikimi për në Champions League bëhet një mision pothuajse i pamundur. As rikthimi i Ibrahimovic nuk rikthen fitoren për të besuarit e “Special One” edhe pse gjigandi suedez shënoi golin e barazimit në minutën e 94. “Nuk arrita të fitoja dhe skuadra ime dështoi. E ndiej shumë presionin. Klasifikimi është tregues i qartë i momentit që po kalojmë, sepse renditemi në atë vend që meritojmë”, theksoi gjithashtu 35-vjeçari. Një deklaratë që paralajmëron një largim të mundshëm të Ibrahimovic në fund të sezonit pasi oferta e Los Angeles Galaxy nga MLS vazhdon të qëndrojë pas portës së Manchester United.