SHBA, 4 prill 2013 – Shoqata Ndërkombëtare e Gazetarëve Investigativë (International Consortium of Investigative Journalist), ICIJ me qendër në Uashington ka publikuar mijëra emra të individëve dhe bizneseve që bëjnë evazion fiskal në Ishujt Kajman. 

Mes këtyre emrave ka edhe figura të rëndësishme të tillë si menaxheri i fushatës së presidentit francez Fransua Hollande, Zhan Zhak Augier apo presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev dhe anëtarë të familjes së tij, të cilët janë identifikuar gjatë këtyre investigimeve. 

Në Mongoli, ish-ministri i Financave dhe nënkryetari i Parlamentit kanë deklaruar se mund të japin dorëheqjen nga politika si pasojë e këtyre hetimeve. 

Shumë emra vijnë nga Rusia, Kanadaja, Pakistani, Filipinet etj, ku publikimi i tyre mund të dëmtojë reputacionin e këtyre personave, të cilët e fshehin pasurinë e tyre në ato vende të cilat konsiderohet parajsa fiskale. 

Ende nuk dihet me saktësi sesa është shuma e taksave të shmangura.

Sipas Gerard Ryle, kreut të Shoqatës Ndërkombëtare të Gazetarëve Investigativë mes këtyre individëve të përfshirë në evazion fiskal ka doktorë amerikanë, qytetarë grekë, drejtues të lartë korporatash ruse si dhe miliarderë nga Europa Lindore.