Një nga revistat më të mirënjohura italiane, Icon Magazine, që ka në fokus stilin e jetesës, udhëtimet dhe turizmin, ka renditur vendin tonë si një nga 7 destinacionet më të bukura për t’u vizituar në vitin 2026.
Icon Magazine shkruan se në vitin 2026, zgjedhja e vendit ku do të udhëtohet nuk është më vetëm çështje shijeje, por edhe kohe. Destinacionet ikonike janë gjithnjë e më të mbushura me njerëz, çmimet janë jashtë kontrollit dhe përvoja shpesh filtrohet nga radhët, rezervimet e tepërta dhe pritjet marramendëse. Ndaj, gjetja e vendeve që janë ende të arritshme, autentike dhe në prag të ndryshimit, është thelbësore. Shqipëria renditet e para, duke lënë pas vende si Gjeorgjia, Omani, Sllovenia, Japonia apo edhe Meksika.
Revista italiane shkruan se Riviera Shqiptare, nga Ksamili në Himarë, është pika e saktë ku Mesdheu bëhet i arritshëm. Ujëra të pastra, plazhe ende të pambipopulluara dhe pjesë të vijës bregdetare ku, veçanërisht në perëndim të diellit, ka ende mjaft hapësira për vizitorët. Vitet e fundit, Shqipëria ka parë një rritje dyshifrore të turizmit, me investime gjithnjë e më të mëdha si në mikpritje ashtu edhe në infrastrukturë, shkruan Icon Magazine. Ndryshe nga Kroacia dhjetë vjet më parë, turizmi në Shqipëri është ende në zhvillim: hotele të reja, bare e restorante me ushqime deti dhe çmime që, veçanërisht përjashtuar gushtin, mbeten të ulëta. Edhe klubet më të rafinuara të plazhit ofrojnë çmime deri në 30-40% më të ulëta sesa në Greqi.
Në përmbyllje të artikullit, revista e mirënjohur italiane Icon Magazine nënvizon se sipas trendeve globale të turizmit, destinacionet në zhvillim po përjetojnë rritje më të shpejtë se destinacionet tradicionale, të nxitura nga rrugët e reja ajrore, mediat sociale dhe puna e konsoliduar. Avantazhi konkurrues dhe zgjedhja e vendeve që janë gati të shpërthejnë, por që ende nuk janë të mbipopulluara, duhen vizituar për vitin 2026, për të përjetuar përvojat më interesante.





