Të paktën 100 persona janë identifikuar gjatë kontrolleve të rrepta të policisë së Shtetit, të cilët kishin hyrë në vendin tonë ditët e fundit nga Italia dhe vende të tjera të prekura nga koronavirusi dhe nuk ishin vetizoluar.

Policia e Shtetit prej orëve të pasdites së djeshme ka dalë në terren e pajisur me maska dhe me disa blloqe me emrat e personave që kanë hyrë në Shqipëri dy javët e fundit.

Sipas policisë, personat në fjalë janë gjetur në Tiranë, Durrës, Fier dhe në Shkodër në makina dhe kafene. Ata janë shoqëruar nga policia në shtëpi dhe janë këshilluar që të mos dalin.

Edhe kryeministri Edi Rama tha ditën e djeshme se këto kontrolle do të vijojnë, madje ai shtoi se kushdo që nuk do të bindet do të marrë një gjobë prej 5 mijë eurosh.