TIRANË, 16 maj 2013- Prania e mushkonjës anophele, e cila mbart dhe malarien pas 50 vjetësh në jugun e Shqipërisë, ka ngritur në këmbë strukturat shtetërore ditët e fundit.
Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Adrian Hoxha, konfirmon se janë 15 raste të identifikuara të malarjes, me një fillesë të shfaqjes së sëmundjes prej 2 vitesh. Në një konferencë për shtyp, Hoxha duke siguruar se nuk ka vend për panik theksoi se rastet janë të importuara. Sipas tij, 15 rastet e identifikuara tashmë janë të zgjidhura nga pikëpamja klinike dhe mbahen në vëzhgim, duke qenë të vëmendshëm për të qenë korrektë me ndjekjen e tyre.
“Pas një farë kohe nga qëndrimi i tyre në këto shtete, personat kanë marrë dhe sëmundjen e malarjes. Një pjesë e tyre janë diagnostikuar dhe trajtuar, një pjesë e tyre kanë ardhur në vend, janë evidentuar dhe trajtuar në Klinikën e Infektologjisë”, tha Hoxha.
Hoxha sqaroi se shumica e rasteve kanë kaluar në ISHP, ku dhe janë vaksinuar sipas ligjit para se të shkojnë në këto zona, si dhe janë këshilluar përsa i përket medikamenteve të veçanta si profilaksi në lidhje me këtë problem.
“Por pothuajse në të gjitha rastet ka pasur një mospërdorim të medikamenteve për profilaksi, apo përdorim jo të rregullt të tyre, gjë që ka sjellë kontaktin dhe ballafaqim me këtë rast”, tha Hoxha.
Ndërkohë, Hoxha theksoi se aktualisht nuk ka raste të transmetimit të malarjes në vend nga njeriu tek njeriu.
“Sot që flasim është e rëndësishme të themi që nuk ka rast të transmetimit të malarjes në vendin tonë nga personi i infektuar tek njeriu dhe kjo ka të bëjë me numrin e tyre të vogël, që nuk mundet të ndikojë në proces”, theksoi Hoxha.
Për transmetimin e malarjes nuk kërkohet vetëm transmetimi mes individëve, por dhe një vector që në këtë rast është mushkonja. Hoxha sqaroi se gjatë këtyre viteve janë invstiguar rastet ku ka pasur problem aty ku rasti është identifikuar, në Tiranë, Vlorë, Shijak, Durrës, Fier. ISHP ka çuar ekipet e specialistëve për të verifikuar kontaktet e tij, ekzaminimet tek individët me të cilët ka pasur kontakt, mjediseve që do të shërbenin si faktorë favorizues për sëmundjen, etj.
Sa u takon vektorëve, ISHP ka marrë një sërë masash të përbashkëta me strukturat lokale dhe institutione të tjera të shëndetësisë, por dhe vetë publikut.
“Ekzistojnë mundësitë që ky proces të jetë i bllokueshëm në rast të zbatimit të masave”, theksoi Hoxha, duke kërkuar edhe nga vetë qytetarët të tregohen të kujdesshëm.
Për herë të parë pas 50 vjetësh, bashkive dhe komunave iu dorëzohet udhëzuesi me të dhënat e fundit mbi vektorët (insektet) e rrezikshëm që qarkullojnë, ku më problematiku është ai i malaries anopfelis.





