ELBASAN, 3 prill 2013 – Identifikohen personat që ishin në automjetin që ra në lumin Shkumbin. Ismet Karaj, 30 vjeç dhe bashkëshortja e tij Albina Karaj 19 vjeç janë viktimat e aksidentit të paradites së sotme. Burime nga policia bëjnë të ditur se çifti, kishte një fëmijë vetëm një muajsh.

Gjatë gjithë ditës së sotme në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca policore të Elbasanit si dhe Librazhdit, gjithashtu edhe forcat zjarrëfikëse, të cilat e kanë patur të pamundur nxjerrjen e mjetit si pasojë e kushteve atmosferike aspak të favorshme. Vetëm me ardhjen e polumbarëve është mundur të identifikohet targa e mjetit i cila është AA 655 GB.

Pas verifikimit të targës, rezultoi se mjeti i përkiste shtetasit Ismet Karaj, banues në fshatin Dardhë të Librazhdit.

Menjeherë specialistët e Komisaritit të Policisë së Librazhdit kanë kontaktuar familjarët e viktimës. Shtetasi Ismet Karaj mbrëmjen e djeshme kishte qenë për vizitë te shtëpia e prindërve të bashkëshortes së tij, 19-vjeçares Albina Karaj dhe mëngjesin e sotëm janë larguar në drejtim të qytetit të Elbasanit.

Si pasojë e rreshjeve të shumta, nuk u bë dot e mundur nxjerrja e mjetit. Përpjekjet e polumbarëve do të vazhdojnë sërish nesër.