Një pjesëmarrës në turneun e lojërave online në Jacksonville në Florida, ka vrarë dy persona para se të kryente vetëvrasje, ka njoftuar policia.

Zyrtarët policorë e kanë identifikuar sulmuesin si David Katz, 24-vjeçar nga Baltimore dhe kanë thënë se ai ka përdorur armë zjarri. Të njëjtat burime kanë konfirmuar se nuk janë duke kërkuar për një person të dytë.

11 persona të tjerë janë plagosur në një qendër të madhe tregtare me shumë dyqane, hapësira për argëtim dhe ushqim. Disa raportime të pakonfirmuara kanë thënë se Katz ishte nervozuar pasi ka humbur gjatë lojës.

Florida është përballur me të shtëna masive në vitet e fundit, duke përfshirë incidentin në një klub nate në Orlando më 2016-n, ku u vranë 49 persona, si dhe sulmin e këtij viti që ka lënë të vdekur 17 persona në një shkollë në Parkland.