I dyshuari për sulmin terrorist në New Orleans, i cili vrau 10 persona dhe plagosi të paktën 35 të tjerë, është identifikuar si 42-vjeçari Shamsud Din Jabbar.

FBI-ja konfirmoi më herët gjatë ditës së sotme se incidenti po trajtohet si një “akt terrorizmi” dhe se autori u vra pas sulmit, raporton BBC, Sulmuesi thuhet se mbante një flamur të ISIS-it në momentin e sulmit.

Sipa mediave të huaja, ai i armatosu futi automjetin e tij me shpejtësi të madhe në një turmë në Bourbon Street, më pas qëlloi mbi turmën.

Ai dyshohet se doli nga makina duke mbajtur një pushkë dhe hapi zjarr ndaj oficerëve të policisë. Nga shkëmbimi i armëve mbetën të plagosur dy policë, ndërsa sulmuesi mbeti i vrarë.

Në vendngjarje janë gjetur mjete shpërthyese të improvizuara, të cilat me sa duket kanë rezultuar aktive.

Për ngjarjen tragjike reagoi dhe Presidenti amerikan, Joe Biden, i cili e cilësoi incidentin të tmerrshëm, ndërsa bëri thirrje për zbardhje sa më shpejt të ngjarjes.

“Zemra ime është me familjet e viktimave, që thjesht po përpiqeshin të festonin. Nuk do të tolerojmë asnjë sulm ndaj asnjë prej komuniteteve të kombit tonë. Autoritetet të arrijnë në fund të asaj që ndodhi sa më shpejt të jetë e mundur”, shkroi Biden.

Ndërkohë, për sulmin reagoi edhe Presidenti i zgjedhur, Donald Trump, i cili shprehu mbështetje për qytetin e Nju Orleans dhe të gjithë ata që po hetojnë tragjedinë.

“Zemrat tona janë me të gjitha viktimat e pafajshme dhe të dashurit e tyre, duke përfshirë oficerët e guximshëm të Departamentit të Policisë së Neë Orleans”, tha Trump në një postim në Truth Social, duke shtuar se: “Shkalla e krimit në vendin tonë është në një nivel që askush nuk e ka parë më parë”.