GREQI, 31 mars 2013– Policia greke identifikon një nga personat që kryen grabitjen në një restorant në Athinë dhe më pas qëlluan për vdekje aksidentalisht një vajzë 25 vjeç në rrugën nacionale Athinë-Thiva. 

Ai është shtetasi shqiptar Marjan Kola, 36 vjeç, një nga të 8 të arratisurit shqiptarë nga burgu i Trikalas. 

Policia ka publikuar edhe foton e Marjan Kolës, duke sqaruar se gjurmët e tij janë gjetur në restorantin e grabitur nën kërcënimin e armëve. 

Më pas grupi i shqiptarëve, ku bënte pjesë shtetasi Marjan Kola, u vu në ndjekjen e policisë dhe iu kundërpërgjigj asaj me zjarr. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, mbeti e vdekur 25 vjeçarja që ishte duke udhëtuar me makinën e saj. 

Policia vazhdon operacionin për identifikimin e shqiptarëve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje dhe për kapjen e tyre.