TIRANË-Identifikohet personi që thirri Julian Çelën, djalin e zyrtarit të SHISH-it, pasditen e 30 nëntorit, në zonën e Laprakës në Tiranë, ku edhe është parë për herë të fundit. Policia thotë se ai është Gëzim P., një person më i madh se Juliani, i cili shoqërohej me të miturin për një kohë të gjatë, ndërsa ka dyshime se mund ta ketë rekrutuar te grupi i tij. Ky person, sipas policisë, është arrestuar disa herë për vjedhje në kryeqytet, ndërsa ka të dhëna se kohët e fundit kishte ngritur një grup për grabitje. Ai ka studiuar mirë aftësitë e 10-vjeçarit, i cili ngjitej në lartësi të mëdha dhe nuk kishte frikë. Megjithatë, burimet policore nuk japin detaje nëse Gëzimi ka qenë personi që e ka “rrëmbyer” Julianin, ndërsa saktësojnë se kanë zbardhur vetëm një çast që ishte mister prej datës 30 nëntor. 

Pas qëndrimit për një kohë të shkurtër në qendrën e internetit, ku pronarja e saj thotë se e ka parë, madje ka biseduar, Juliani është thirrur nga një person. Roza, operatorja e internetit, para policisë, familjarëve dhe mediave, tha se “dikush e thirri Julin, unë nuk e pashë, se isha me kurriz, por nga zëri dukej se ishte më i madh se ai. Juli duket se e njihte këtë person, pasi mimika e fytyrës dhe lëvizja e tij e shpejtë më lanë ta kuptoja një gjë të tillë”. Duke qenë se ishte me kurriz, policia dhe familjarët e 10-vjeçarit filluan kërkimet për personin që e thirri, pasi kishin dyshime se ai ndoshta ishte edhe “rrëmbyesi”. Disa dëshmitarë të tjerë kanë pohuar se në momentin që Juli ka dalë nga qendra e internetit, është parë një automjet që ka lëvizur me shpejtësi, ndërsa sipas policisë, ky automjet nuk ka lënë gjurmë në vendngjarje dhe nuk mund të përcaktonin nëse ishte apo jo rrëmbim. Tashmë kur kanë kaluar më shumë se tri javë nga zhdukja, grupi hetimor ka identifikuar personin që e thirri dhe ai është Gëzim P., nisur edhe nga dëshmitë e fëmijëve që ndodheshin pasditen e 30 nëntorit në qendrën e internetit, ku Juliani kishte shkuar për të luajtur. 

Nisur nga këto të dhëna, Policia e Tiranës ka dyshime të forta se 10-vjeçari, i zhdukur prej 22 ditësh, shoqërohet me një të dënuar për vjedhje, i cili është mbajtur nën vëzhgim nga agjentët e antikrimit, por deri më sot, hetimet nuk kanë sjellë asnjë të re për fatin e tij. Sipas të dhënave të besueshme, nën vëzhgim po mbahet Gëzim P., i cili qëndron në Laprakë dhe ka qenë i dënuar disa herë për vjedhje. 

Një tjetër pistë për Policinë e Tiranës është edhe shoqëria e 10-vjeçarit, i cili kishte filluar të frekuentohej me persona më të mëdhenj se veten. Hetuesit kanë dyshime se Juliani, ose siç e njohin me emrin shkurt Juli, është fshehur te shtëpia e ndonjërit prej tyre. Kjo mendohet se është edhe arsyeja pse është kërkuar që askush mos të flasë për të dhënat e mbledhura nga policia, ashtu siç shprehen edhe drejtuesit e shkollës, të cilët nuk kanë dashur të japin informacion, që mund të ndihmojë në gjetjen e 10-vjeçarit. Megjithatë, nga grupi hetimor mësohet se janë kontaktuar disa persona, me të cilët është shoqëruar i mituri më parë, por ata janë shprehur se nuk e kanë parë dhe se nuk kanë dëgjuar ndonjë gjë për të. Policia ka identifikuar dhe marrë në pyetje shokët e tij, me qëllim që të zbardhet sa më shpejt largimi misterioz i tij. Ndërsa familja, teksa bën apel, duket qartë se beson më shumë te një rrëmbim ose fshehje e tij. 

Sot mbushen 22 ditë nga largimi i të miturit, i cili banon në zonën e Laprakës. Telefonata më bindëse për policinë ka qenë ajo e një punonjëse “fast-food”-i, e cila, kur ka parë fotografinë e të miturit, është shprehur se ai kishte porositur për të ngrënë dhe ishte larguar me vrap për të mos paguar. Madje, ajo ka treguar edhe veshjen e të miturit, që përkon me ato rroba me të cilat Julian Çela është larguar më 30 nëntor.