Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Himarë mëngjesin e sotëm, ku një pushues i huaj është aksidentuar në ujë nga një mjet lundrues dhe për pasojë ka gjetur vdekjen.
Policia identifikoi viktimën i cili u gjet i gjymtuar në gjendje kome në mes të detit, gjysmë milje larg bregut të detit të Himarës.
Burime nga Policia e Vlorës thanë se viktima është Denis Kaiumov, 43 vjeç, banues në Saint Petersburg, Rusi. Viktima ka qenë me pushime me bashkëshorten dhe vajzën e tij.
Sipas burimeve, pushuesi ka qenë duke notuar në plazhin e Livadhit, 50 metra nga bregu kur është goditur nga një skaf, i cili është larguar nga vendngjarja.
Një tjetër skaf e ka nxjerrë në breg shtetasin e huaj dhe më pas e ka dërguar në Spital.
Mësohet se shtetasi i huaj nuk ka mundur dot t’u mbijetojë plagëve, pasi ka humbur shumë gjak nga këputja e njërit prej gjymtyrëve.
Policia dyshon se mbi pushuesin ka kaluar një gomone, pasi prerjet në trupin e pushuesit janë bërë nga helika.
Kjo përjashton pistën e përplasjes nga një motor uji, i cili funksionon me turbina dhe nuk shkakton prerje në trup, por vetëm shembje.
Policia ka nisur menjëherë hetimet për ngjarjen dhe është vënë në kërkim të autorit të ngjarjes.
DEKLARATA E POLICISE
Rreth orës 11:40, midis Himarës dhe Livadhit është parë një person i dëmtuar brenda në det (rreth 50 m larg bregut) dhe me ndihmën e një skafi është nxjerrë në anë të detit, nga ku është marrë dhe është transportuar menjëherë në Spitalin e Himarës, vend në të cilin ka nderruar jetë.
Nga kqyrja që i është bërë trupit të viktimës ka rezultuar se ka marrë dëmtime në pjesën e shpinës dhe të gjymtyrëve.
Gjeneralitetet e viktimës ende nuk janë bërë të ditura, por dyshohet se mund te jetë rreth 40-50 vjeç dhe se mund të jetë shtetas i huaj.
Paraprakisht dyshohet se mund të jetë goditur nga ndonjë mjet i shpejtë lundrues, i cili është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Policia e Vlorës në bashkëpunim me Policinë Kufitare, po punojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes si dhe për përcaktimin e shkaqeve të saj.





