I ftuar në “Junior Reporter”, Dushan Vlahoviç ka dhënë një intervistë të veçantë përballë fëmijëve juventinë. Sulmuesi serb ka folur për momentin e tij të vështirë që është duke kaluar, fillesat me futbollin si dhe kundërshtarët e tij më të sikletshëm, një prej të cilëve tashmë e ka shok skuadre.
A ke provuar ndonjëherë të jesh portier?
Është një rol paksa i veçantë, por njëkohësisht shumë i bukur sepse ai na mbron të gjithëve. Personalisht nuk e kam provuar kurrë, por ndoshta një ditë do ta provoj.
Çfarë të pëlqente më shumë, shkolla apo futbolli?
Pa dyshim futbolli! Nëna ime preferonte që të përqendrohesha te shkolla dhe për një kohë i bëja të dyja, por më pas vendosa t’i përkushtohesha vetëm futbollit.
Në çfarë moshe fillove të luaje futboll?
Aty rreth tetë vjeç, njësoj si shumica prej jush.
Ke ndonjë ritual fatsjellës përpara ndeshjeve?
Në fakt, jo. Ndonjëherë vendos më parë mbrojtësen e djathtë të këmbës, por nuk është ndonjë zakon i qëllimshëm.
Kush ishte lojtari yt i preferuar kur ishe i vogël?
Kam pasur shumë, por Kristiano Ronaldo ishte i preferuari im. Del Piero? Jo, nuk ishte imi. Mesi? Më pëlqente ta shihja… Maradonën nuk kam pasur rast ta shoh duke luajtur.
Përveç futbollit, çfarë sporti tjetër të pëlqen?
Më pëlqen basketbolli, madje përpara se të luaja futboll, kam nisur aty që në moshën pesëvjeçare. Edhe tenisi më pëlqen, por më shumë basketi.
Si i përballon momentet e vështira?
Mund të bësh shumë gjëra, por ilaçi më i mirë është të shënosh gola.
Kush ka qenë mbrojtësi më i vështirë që ke pasur përballë?
Bremer, pa dyshim. Kam pasur shumë mbrojtës të fortë kundërshtarë, por ai më ka vështirësuar më shumë jetën kur kemi luajtur kundër.
Cili është goli që të ka mbetur më shumë në zemër?
Ai në finalen e Kupës së Italisë sezonin e kaluar, por edhe i pari në Champions. Por trofeu i Kupës ishte i pari për mua me Juventusin, ndaj ka një vend të veçantë në zemrën time.
Çfarë superfuqie do të doje të kishe në fushë?
Do të doja të fluturoja. Kështu të gjithë do të më shihnin dhe unë do të mund të bëja çfarë të doja.
Si ishte hera e parë me fanellën e Juventusit?
Një lumturi e madhe, nder dhe privilegj. Të jesh pjesë e këtij klubi është diçka shumë e veçantë dhe nuk do ta harroj kurrë atë ndjesi.
Si e përballon tensionin përpara ndeshjeve?
Mundohem të mos mendoj shumë për ndeshjen dhe të mos e ngarkoj veten. Afër ndeshjes përqendrohem më shumë, por nuk më pëlqen të marr mbi supe gjithë peshën e asaj që po vjen, edhe pse ndoshta nuk duket.
Çfarë të pëlqen nga Italia?
Të gjitha! Është një vend i mrekullueshëm. Më pëlqen moti, atmosfera… është ndoshta vendi më i bukur në botë ndër ato që kam vizituar, përveç atdheut tim. Torino më pëlqen shumë, edhe pse nuk kam shumë kohë ta shijoj. Më pëlqen qetësia dhe bukuria e saj.
Çfarë goli do të shënoje nëse do të kishe një lëvizje nga videolojërat?
Do të më pëlqente të nisesha nga porta ime, të dribloja të gjithë lojtarët dhe të shënoja në portën kundërshtare.