Teksa kemi dhënë disa sugjerime miqësore për Open Port, në numrin e kaluar të “Dyrrah” mjaft shpejt vjen një argument domethënës. Bashkëqytetari ynë Idlir Kazazi, befason teksa bën spektakël me windsurf-in (uindsërf) e tij. Kemi fiksuar tri foto të këtij pasionanti të një sporti të veçantë, por tejet spektakolar. Ndryshe uindsërfi trajtohet edhe si një rrëshqitje në ajër dhe në botë janë me mijëra simpatizantët dhe ushtruesit e tij. Në kohën më të mundshme për të, Idlir Kazazi rrëmben uindsërfin dhe shkon diku disa dhjetëra metra nga bregu dhe kryen nga vozitjet më tërheqëse. Pasion, mjeshtri, guxim dhe argëtim. Të gjitha së bashku përbëjnë atë dukuri, që kur e zbulon mrekullohesh dhe kërkon që ajo të pronësohet nga publiku. Ja Open Port mund ta promovojë në mënyrë më të mirë të mundshme këtë demonstrim, duke rritur vlerat e një organizimi që meriton të vlerësohet.

Kemi qëndruar gjatë, duke vështruar veprimet mjeshtërore të Idlir Kazazit në ujë me sërfin e tij, ashtu siç tregohen edhe në njërën prej fotove që botohen si ilustrim i këtij materiali. Një pasion i vjetër, por që ushqehet sidomos tani në verë nga përpjekjet për ta ushtruar atë vazhdimisht. Pyetjes se si ndodhi që ai të ushtrojë këtë sport sa origjinal dhe të vështirë, Idlir Kazazi përgjigjet: “Është një hobi nxitur nga disa shokë dhe miq të mi të vjetër. Unë nuk jam gjë para Agim Feçanit. Apo Gjergj Dhamos që jeton në Çikago të Amerikës. Një sërfist i thekur është edhe Kristo Sotiri, duke qenë kështu një grup durrsakësh që mbeten më të sprovuarit në këtë sport që as ka ndërmend të trajtohet zyrtarisht në vendin tonë. Bota njeh kampionatet e sërfit, garat individuale të të cilit janë nga më tërheqëset dhe interesantet.

Por që sërfi të shikohet me tërë bukurinë e tij, kërkon që deti të ketë dallgë të mëdha e sërfisti të vendoset në “barkun” e stërmadh të shkumës. Është gjë e bukur, por e vështirë. Më vjen mirë që “Dyrrah” i trajton dukuritë e këtij sporti, që deri tani mbeten në iniciativat e lira dhe private të individive të veçantë.” Idlir Kazazi është i mendimit që në  Durrës duke shfrytëzuar talentet, pasionin dhe mjeshtërinë e djemve të qytetit, të organizohen veprimtari si demonstrative ashtu edhe kombëtare në sërf, por edhe në vaterpolo, kanotazh etj. Durrësi këto sporte i ka patur nga herët dhe do të mirëpritej nisma për rigjallërimin dhe masivizimin e tyre. “Jam i sigurtë, thekson Kazazi se nisma do të përqafohet nga dhjetëra e dhjetëra të rinj e të reja dhe Durrësit i takon të vihet në ballë të kësaj mënyre organizimi. Rëshqitja në ajër me anë të uindsërf-it, është kënaqësi, bukuri, por edhe një detyrim për të gjallëruar jetën sportive dhe argëtuese në Durrës. Jam i gatshëm të jap ndihmesën time, pse jo të organizohet si fillim edhe një garë demonstrative. Çunat e Durrësit të shpërndarë nëpër botë, të thërriten një ditë dhe të bëhet më së pari garë demonstrative në uindsërf. Jam i sigurtë se interesimi do t’i kalojë kufijtë e përfytyrimit”.