Ai zhytet me orë të tëra në studion e tij dhe me një latë, spatula apo çekan për orë të tëra formëson portretet realë të kolosëve që kanë bërë historinë e Shqipërisë apo asaj botërore. Nga studio e tij formëson njerëzit, duke zbuluar njëkohësisht edhe vetveten, teksa i jep formë karakterit të personazheve të tij. E ka bërë këtë punë për gati 50 vjet, që nga mosha 12 vjeçare kur zbuloi talentin, dhe sot skulpturat e tij, janë shumë të kërkuara në të gjthë trojet shqiptarë, nga Mitrovica deri në Çamëri. Është Idriz Balani, skulptori durrsak, fama artistike e të cilit ka kaluar me kohë kufirin kombëtar.

Idriz Balani ka qënë padyshim ndër më të sukseshmit brez artistësh, që me fuqinë e tyre artistike i janë imponuar kërkesave shpirtërore të vendit në çdo hapësirë mbarë shqiptare. Ai është një artist tërësisht realist në veprat e tij dhe personazhet që gdhend i sjell po aq luftëtarë, fisnikë, paqësorë, triumfatorë apo të mençur ashtu sikurse emri dhe bëmat që ata kanë lënë në histori.

Është prind i dy fëmijëve, bashkëshort i një mjekeje.

Por si ka bashkëjetuar një skulptor dhe një mjeke? Pse asnjë prej dy fëmijëve të tyre nuk trashëgoi frymën e artisitit, por zgjodhën degët e mjekësisë?

Idriz Balani vjen në një rrëfim të sinqertë për DurrësLajm, prej momentit, kur skulptori i famshëm Sabri Tuçi i hapi dyert e studios së tij për të ndjekur një ëndërr të madhe, për të cilën ende shpenzon orë e orë të tëra në studio.

Sirenat e mitologjisë i kanë sjell fat atij. Ka qënë pikërisht një sirenë e tillë e konceptuar sipas shijes së tij, që e ka futur atë në botën e artit të madh. Sirena fillimisht i hapi dyert e studios së skulptorit të madh Sabri Tuçi. Dhe koha ka treguar se mjeshtërit e mëdhenj kanë gjetur e nxjerrë më pas talente të mëdhenj. Për këtë "rastësi" Idrizi kujton: "Që i vogel kam filluar me shkumës të bëja skulpturat e para në rërë duke i vizatuar. Më pas bënim kuadrate dhe zmadhonim nga kopertinat e librave foto të Skënderbeut, Ismail Qemalit etj. Kam qënë në shkollën fillore, kur rastësisht takova vajzën e skulptorit Sabri Tuçi, Teutën, e cila sa pa nje sirenë deti gjysëm vajzë e gjysëm peshk që e kisha bërë me rërë të lagur në bregdet më tha qenke djalë i talentuar. Ajo bëri që në klasën e V-të të shkollës fillore të filloja në studion e Sabri Tuçit”.

Këtë skulptor të madh dhe njëkohësisht mjeshtrin e mësuesin e tij, në vitin 2009 do t’ja kthente Durrësit në një vepër monumentale në shkëmb dhe në bronx. Do t’ja ringjallte artistikisht qytetit, pas baltës që qe hedhur mbi jetën e profesorit të nderuar.

Idriz Balani tregon thjesht për rrugën e ngjitjes së jetës së vet artistike, pa kërkuar të thojë të pathënat e të zmadhoje të paqënat, siç edhe veprojnë shume vetë. Idriz Balani ka qënë nga ata burra artistë që ka përveshur krahët pa asnje pretendim për llojin e punës, pa iu ndarë kurrë rrugës artistike. Ai ka punuar në Kantierin Detar e deri në Nish Tullën e asaj kohe, ku puna ka qënë tepër e rëndë, por ndërkohë ashtu siç punonte në prodhimin e tullave për strehimin e njerëzve, ai krijonte shpirtërisht gjëra të bukura për t’ua bërë me të bukur jetën banorëve të këtyre banesave të varfëra. 

Sot veprat monumentale të Idriz Balanit janë ngado. Në sheshet e Durrësit ndodhen të ekspozuara busti i Telat Nogës, Kozma Nushit, Naim Frashërit, Olsi Laskut, Vinçens Prendushit etj.  

Veprat e Idriz Balanit janë të ekspozuara edhe në Kosovë. Janë disa të tilla. Busti i Isa Boletinit, i Haxhi Zekës i kompozuar në bashkëpunim me kolegun Qazim Kërtusha, busti i Skënderbeut, i Ibrahim Rugovës, i cili sot ndodhet në sallën e Kuvendit Komunal të Pejës dhe që pret të ekspozohet ne Parkun e këtij qyteti.