TIRANE- Kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi nëpërmjet një letre të hapur drejtuar mediave në Shqipëri bën thirrje për një trajtim ndryshe të rezolutës së çështjes çame. Sipas tij ajo nuk është betejë e dy individëve, apo e një partie sic tha Idrizi, por është beteja e mbarë kombit për dinjitet dhe barazi. Ai apeloi që mediat të mos e shohin me indiferentizëm. 

“Kjo Rezolutë nuk mund të shihet në mënyrë indiferente nga shoqëria dhe media shqiptare. Kjo është arsyeja pse me Rezolutën janë rreshtuar intelektualë dhe burra të shquar të këtij vendi dhe kombi, si Sami Repishti, apo Alfred Moisiu, shumë shoqata brenda dhe jashtë vendit. Ju lutem shumë atyre që i ndjekin me vëmendje zhvillimet rreth Rezolutës, të mos na lartësojnë kaq shumë sa ta shohin Rezolutën si veprën tonë. Jo thjesht pse ajo është produkt i konsultimeve të gjata me shumë ekspertë dhe miq, vendas dhe të huaj. Ajo është dokumenti më programatik i kombit shqiptar përballë kombit grek vitet e fundit. Ne i themi fqinjit : boll u solle si i madh me ne, sepse në jetën e kombeve, ka ulje dhe ngritje, por borxhet duhen shlyer”, thuhet në letrën e tij. 
Idrizi, ndër të tjera kërkon që mediat të merren dhe të trajtojnë përmbajtnen e saj. 

“Mos u merrni me elementë sipërfaqësorë, me detaje të kontekstit tonë të brendshëm politik, por merruni me tekstin e Rezolutës dhe shiheni në kontekstin e marrëdhënieve dypalëshe. Mos e trajtoni Rezolutën në dritën e teknikave mediatike të hapësirës së faqeve, minutazhit sipas përqindjes së partive, apo matur me ndonjë metër tjetër. Rezoluta nuk është e dy individëve, e një partie, e një shoqate, e një komuniteti, por e mbarë kombit. E dimë që ajo nuk do jetë gjithmonë kryelajmi, por ajo meriton vëmendje të posaçme jashtë klisheve profesionale”, apeloi Idrizi. 

“Siç e kemi thënë dhe publikisht në një rast tjetër, ky dokument është dokument i bashkimit dhe jo i ndarjes. Nëse ne krijojmë rreth tij një front unik, konsensual, tërësor të kombit, atëherë ai do miratohet. Ai mund të miratohet me mazhoranca të lodhura gjithfarëshe, por nëse krijohet ky front, atëherë deputetët s’mund të rrijnë indiferentë përpara këtij presioni të frontit kombëtar. Do kemi kështu votim thuajse unanim të Rezolutës. Por ka dhe diçka tjetër jashtë nesh. Nëse ky front kombëtar, ku mediat janë shumë të rëndësishme, është shumë i zëshëm dhe fqinji do fillojë të mendojë. A ja vlen të cënojë të sotmen dhe të nesërmen e marrëdhënieve me këtë komb, për shkak të një plage të së shkuarës”, thuhet më tej në letër.