Kreu i PDIU Shpëtim Idrizi së bashku më kandidatët për këshilltarë në Bashkinë e Durrësit zhvilloi një takim me banorët e qytetit bregdetar.
Gjatë takimit Idrizi prezantoi pikat e programit politik që i përbashkon në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Ai theksoi se rëndësia e këtyre zgjedhjeve është jo vetëm te vendimmarrja, por edhe te përgjegjësia politike për llogaridhënie në parlamentet lokale ku do të ulen këshilltarët e zgjedhur përmes votës në 14 maj.
“Ne sot vazhdojmë i shohim qytetet si qendra banimi. Durrësi është një qendër e madhe ekonomike. Është vendi ku duhet të integrohen së bashku porti më i madh dhe turizmi. Po padyshim është edhe zona industriale, zona e banimit. Si duhet ta kthejmë në një zonë ekonomike që të furnizojmë me prodhime vendase të gjithë këtë treg të madh turizmi dhe biznesi. Unë dua t’ju ftoj që të mos kërkojmë ato që shajnë më shumë njëri-tjetrin, por ato që kanë një projekt integral për Durrësin jo vetëm si një vendbanim, por si një qendër e madhe ekonomike, e cila së bashku me Tiranën përbën 70% – 80% të të gjithë veprimtarisë ekonomike dhe të biznesit”, theksoi Idrizi.
Duke e konsideruar joetik debatin politik të kësaj fushate, kryetari i PDIU-së vuri theksin te nevoja për të ndihmuar demokracinë në vend dhe për të gjetur modelet që kemi humbur.
“Ligjet nuk bëhen në parlament për të majtë apo të djathtë, por për të gjithë shqiptarët dhe e kanë afatin edhe më shumë se një mandate parlamenti prej katër vjetësh. Prandaj ne duhet të jemi ata që transmetojmë kulturën, kompromisin, debatin dhe jo sherrnajën. Flasim për të ndihmuar demokracinë. Po mirë, media ka problemet e veta, po shoqëria civile? Po sindikatat ku janë në këtë vend? Po institucionet e pavarura ku janë? Po drejtësia dhe shumë institucione të tjera që të gjitha bashkë mbajnë ekuilibrat në një shoqëri të shëndësoshë? Nuk i kemi. Praktikisht sepse ne kemi humbur modelin e vlerave që fillon nga dashuria për atdheun, flamurin, kombin, Zotin. Na mungojnë modelet”, -tha Idrizi.
Ndaj edhe në kuadër të zgjedhjeve lokale të 14 majit sekretarja e përgjithshme e PDIU-së, Znj. Mesila Doda bëri thirrje që të gjithë të votojnë PDIU si forcën që në thelb ka atdheun.
“Të mësuar me politikën shqiptare ku vëmendja shkon te dinosauri, te të mëdhenjtë, ndonjëherë harrojmë se kush duhet të jetë pushteti i vërtetë në demokraci. Harrojmë se përveç qeverisë, ka edhe një parmalent, ku disa njerëz debatojnë dhe bëjnë ligje të cilat më pas aplikohen në jetën e qytetarëve. Kështu është edhe për këshillat bashkiakë, që janë parlamentet e qyteteve. Aty ku kalohen projekte të rëndësishme dhe ku nuk duhet të kalojnë ato projekte që dëmtojnë qytetin e që mund t’i shërbejnë një biznesi apo një tjetri. Planet dhe idetë që shpalosët këtu, sot, ju porosis t’i mbani si premtime dhe kredo politike.”
I pari në listën e këshilltarëve për bashkinë e Durrësit nga lista e PDIU, Florian Tahiri ishte i qartë me 12 pikat që propozoi përballë elektoratit.
Një tjetër zë i rëndësishëm në listën e Durrësit nga PDIU është edhe Zhaneta Saliu, kryetare e forumit të gruas e cila bëri thirrje për më shumë vëmendje ndaj biznesit taksapagues të rregullt që presin që kontributi i tyre të përkthehet në më shumë investim për qytetin e Durrësit.