TIRANË- Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ka ftuar në një mbrëmje festive në vigjilje të festave të fundvitit, drejtues të medias në vend, analistë, gazetarë e përfaqësues të tjerë të medias vizive e të shkruar. 

Gjatë fjalës së tij, Idrizi kërkoi vëmendjen jo vetëm të medias, por edhe klasës politike për çështjen çame, duke sqaruar se ajo nuk është një nismë politike e PDIU-së, por çështje kombëtare. 

“Ju të gjithë e dini se kemi filluar një rezolutë për çështjen Çame. Miqësisht dua t’ju them se ajo nuk është rezolutë e partisë tonë, nuk është as rezolutë e imja dhe e Dashamirit. Është në radhë të parë e një komuniteti të tërë i cili ka nevojë të ketë gjithë përkrahjen tuaj. Është një komunitet, i cili përtej historisë që për 100 vjet jeton në Shqipëri i shpërngulur, është shkrirë bashkë me shqiptarët kudo në jetën e përditshme në martesa. Jemi po kaq shqiptarë sa gjithë të tjerët. Kjo nuk është një rezolutë që drejtohet ndaj dikujt apo për presion ndaj dikujt. Ku është besoj një presion i ndërgjegjes kombëtare që në radhë të parë ne të tregojmë që jemi njerëz, komb dhe shtet dinjitoz”,- deklaroi Idrizi.